Një komandant i Forcave Hapësinore të Gardës revolucionare islamike ka deklaruar se Irani do të vazhdojë lëshimin e raketave drejt Izraelit gjatë natës.
Ai shtoi se “taktikat dhe sistemet e reja të lëshimit” do t’i lënë SHBA dhe Izrael “të habitur”.
Irani po përdor raketa balistike me rreze të gjatë dhe me koka të shumëfishta, duke sfiduar sistemet mbrojtëse ajrore të Izraelit, të cilat po hasin vështirësi në interceptimin e tyre. Sulmet e fundit kanë goditur edhe zonën e ndjeshme të Dimonës, pranë qendrës bërthamore në Negev, duke rritur ndjeshëm shqetësimet për sigurinë dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Situata në Lindjen e Mesme po përkeqësohet ndjeshëm, me një përshkallëzim të ri të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, ku për herë të parë në mënyrë të përsëritur është vënë në shënjestër zona e ndjeshme strategjike e Dimonës.
Në qytetin jugor izraelit, një ndërtesë trekatëshe u shemb pasi u godit nga mbetje të një rakete balistike iraniane të interceptuar, konfirmuan shërbimet izraelite të zjarrfikjes dhe shpëtimit. Ekipet e emergjencës u angazhuan në të paktën 12 zona të ndryshme për kërkim-shpëtim, ndërsa situata mbetet në zhvillim.
Raportimet paraprake flasin për të paktën 20 persona të plagosur lehtë në Dimona, ndërsa numri total i të lënduarve nga sulmet në jug të Izraelit ka arritur në të paktën 39. Në qytetin Arad, rreth 30 persona u plagosën pas një goditjeje të raportuar nga një raketë balistike.

Sipas mediave izraelite, në sulmet ndaj Dimonës mund të jenë përdorur raketa me koka të shumëfishta (cluster), të cilat shpërndajnë municione në një zonë të gjerë dhe e bëjnë më të vështirë interceptimin. Mbetet e paqartë nëse ndërtesa u godit drejtpërdrejt apo nga fragmentet pas neutralizimit në ajër.
Dimona përbën një nga objektivat më të ndjeshëm në Izrael, pasi ndodhet pranë Qendrës Kërkimore Bërthamore në Negev. Ky kompleks konsiderohet gjerësisht si pjesë kyçe e programit bërthamor izraelit, edhe pse Izraeli ndjek politikën e moskonfirmimit. Zona mbrohet nga një sistem i shumëfishtë i mbrojtjes ajrore, çka e bën çdo goditje aty veçanërisht domethënëse në aspektin strategjik.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) bëri të ditur se nuk ka shenja të niveleve jonormale të rrezatimit dhe se nuk ka indikacione për dëmtime në objektin bërthamor. Drejtori i përgjithshëm Rafael Grossi theksoi se situata po monitorohet nga afër dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale ushtarake”, veçanërisht pranë objekteve bërthamore.
Sulmet ndaj Dimonës janë pjesë e një fushate më të gjerë raketore iraniane, me të paktën pesë valë sulmesh të regjistruara brenda një nate. Ushtria izraelite konfirmoi se një valë e re raketash është në rrugë drejt territorit të saj, duke u bërë thirrje qytetarëve të strehohen menjëherë.
Paralelisht, edhe fronti verior është aktivizuar. Hezbollah ka lëshuar raketa nga Libani drejt veriut të Izraelit, duke shkaktuar alarm në zonën e Galilesë Perëndimore, përfshirë Nahariyan.
Zhvillimet nuk kufizohen vetëm në territorin izraelit. Media iraniane raportojnë për sulme ajrore në disa qytete të Iranit, përfshirë Teheranin, Karaj dhe Isfahanin, duke treguar një përshkallëzim të drejtpërdrejtë të përplasjes ushtarake.
Ndërkohë, incidente janë raportuar edhe në Irak, ku dronë janë interceptuar pranë aeroportit të Erbilit, ndërsa një tjetër u rrëzua në afërsi të Bagdadit, duke plagosur katër persona.
Autoritetet izraelite paralajmërojnë se raketat e përdorura nga Irani, veçanërisht ato me rreze të gjatë dhe me sisteme të shumëfishta goditjeje, po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbrojtjen ajrore, duke rritur rrezikun për zona të gjera me ndikim që mund të shtrihet deri në disa kilometra.
Zhvillimet e fundit tregojnë një konflikt në zgjerim të shpejtë, me përfshirje të shumë fronteve dhe me rrezik në rritje për destabilizim më të gjerë rajonal. /Pamfleti

Comments are closed.