Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e djeshme në fshatin Kuman të Roskovecit, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj qëlloi për vdekje me pushkë bashkëshorten e tij Dashuri Rrapaj 75 vjeçe e më pas dhe veten e tij. Për kryerjen e krimit ai ka përdorur një armë të vjetër që dyshohet të ketë qenë e fshehur në tokë pasi ishte me dhe.
Sot familja Rrapaj ka hapur dyert e mortit pas tragjedisë. Varrimi i dy viktimave do të bëhet i ndarë, 75-vjeçarja Dashuri Rrapaj do te përcillet për në banesën e fundit në Allambreas të Beratit , ku është bijë, në orën 13:00, ndërkohë që trupi i Shefit Rrapaj ndodhet ende në morgun e Fierit dhe ende nuk po tërhiqet nga familjarët.
Për “Shqipëria Live”, vëllai i 75-vjeçares tregoi si e mori vesh ngjarjen e rëndë, duke shtuar se Shefiti ishte i dhunshëm por Dashuria e mbronte. Ai u tregua i ashpër ndaj 80-vjeçarit, për të cilin tha se familja nuk duhet t’i bëjë nderiemt pas vdekjes.
“Isha në shtëpi, kisha pak që isha kthyer në shtëpi. Më ra telefoni dhe pashë që ishte nipi. Fjala e parë që më ka thënë ishte ‘Dajë kanë vdekur të dy. E ka vrarë mamanë’. Ne nxituam tëjepnim ndihmën e parë, por këtu ishte policia, ambulanca dhe nuk na lanë të hynim. Ai ka qenë i dhunshëm, motra jonë ishte ajo që e mbulonte. Para një jave, më morën në telefon nipërit dhe mbesat më thanë shko se mami dhe babi janë zënë, janë në polici. Para 10 ditësh Shefiti e denoncoi në polici djalin e tij, pse mbolli patate në tokën e tij. Ai ka qenë problematik. Unë kam jetuar në Greqi. Motra nuk na është ankuar. Ka qenë burri i dhunshëm, por nuk e mendonim deri këtu. Para 20 vitesh ka tentuar vetëvrasjen. Në mars 2006 tentoi të vriste veten me armë. Ne kemi marrë motrën tonë, do e varrosim ku kemi nënën dhe babain, ajo do zbukurohet, mes luleve. Trupi i atij atje të ngelet. Le ta varrosin në kanalin më të thellë të Tepelenës. Ai nuk e meriton nderimin.”- tha ai.

Comments are closed.