Një histori e rëndë dhe tronditëse vjen nga Spanja, ku 25-vjeçarja Noelia Castillo ka vendosur t’i nënshtrohet eutanazisë këtë të enjte, duke i dhënë fund jetës së saj me një injeksion vdekjeprurës në qendrën e rehabilitimit ku jeton.
E reja mbeti paraplegjike pas një tentative vetëvrasjeje në vitin 2022, e cila erdhi si pasojë e një përdhunimi në grup që kishte përjetuar po atë vit. Pas ngjarjes, ajo u hodh nga kati i pestë i ndërtesës ku qëndronte, duke pësuar dëmtime të rënda që e lanë të paralizuar. Noelia vjen nga një familje jofunksionale dhe pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në familje kujdestare, pasi prindërit e saj kishin probleme me varësitë.
Në vitin 2022, ndërsa jetonte në një qendër shtetërore për gra vulnerabël, ajo u bë viktimë e përdhunimit në grup. Më 4 tetor të po atij viti, pas përdorimit të kokainës, ajo ndërmori aktin ekstrem që ndryshoi përgjithmonë jetën e saj.
Që nga ajo kohë, 25-vjeçarja ka jetuar me dhimbje të vazhdueshme dhe për këtë arsye kërkoi të ushtrojë të drejtën për eutanazi, e cila është e ligjshme në Spanjë që nga viti 2021. Në korrik 2024, një komitet ekspertësh në Katalonjë miratoi kërkesën e saj dhe caktoi procedurën për 2 gusht, por vendimi u pezullua pas apelimit nga babai i saj.
Megjithatë, Noelia iu drejtua më pas Gjykata Kushtetuese Spanjolle dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Në mars 2025 ajo deklaroi para gjykatës: “Dua t’i jap fund jetës sime me dinjitet”.
Vendimi i dhënë në shkurt 2026 nga Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë, duke theksuar se nuk kishte shkelje të të drejtave të saj themelore dhe se ajo mund të vazhdonte me vetëvrasjen e asistuar.Vetëm 24 orë para procedurës, Noelia dha një intervistë për emisionin Ahora Sonsoles në Antena 3, ku foli hapur për vendimin e saj.
“Dua të vdes e bukur. Do të vesh fustanin tim më të bukur dhe do të rregulloj flokët. Do të jetë diçka e thjeshtë”, u shpreh ajo, duke shtuar se dëshironte të ishte vetëm në momentin e fundit, edhe pse kishte ftuar familjarët për t’i dhënë lamtumirën.
Ajo përshkroi dhimbjet fizike dhe emocionale që ka përjetuar prej vitesh: “Dua të iki tani dhe të ndaloj së vuajturi. Nuk kam dëshirë të bëj asgjë… gjumi është shumë i vështirë dhe kam dhimbje të forta në shpinë dhe këmbë”.
Në rrëfimin e saj, Noelia foli edhe për marrëdhëniet e vështira me familjen, veçanërisht me të atin, duke theksuar se ai nuk e ka respektuar vendimin e saj dhe se komunikimi mes tyre është thuajse i ndërprerë. Ndërkohë, edhe pse nëna e saj kishte kërkuar të ishte pranë në momentin e fundit, 25-vjeçarja e refuzoi këtë kërkesë, duke preferuar që të ndahej nga jeta në vetmi dhe në mënyrën që ajo e kishte zgjedhur vetë.

Comments are closed.