Gjykata e Lezhës, ditën e djeshme, shpalli dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të Ardian Nikulajt.
Sipas raportimit të gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, autoritetet kanë marrë informacion se është vendosur një shpërblim prej 500.000 eurosh për eliminimin e Saraivës brenda ambienteve të burgut. Ky fakt ka shtuar ndjeshëm masat e sigurisë ndaj tij, duke e vendosur në izolim të rreptë për të shmangur çdo kontakt me të burgosurit e tjerë.
31-vjeçari, i rritur në Londër, u shoqërua në seancë nga një skuadër e armatosur e Operacionales së Burgjeve, ndërsa perimetri i Gjykatës së Lezhës ishte i rrethuar nga forca të shumta policore. Brenda sallës, Saraiva qëndronte në ‘kafazin’ e gjykatës nën mbikëqyrjen e gardianëve, përballë bashkëshortes së viktimës, Rudina Nikulaj, dhe miqve të saj.
Ministria e Jashtme e Portugalisë ka konfirmuar se po ndjek nga afër rastin, duke theksuar se aktualisht nuk ekziston një marrëveshje ekstradimi apo transferimi të të dënuarve mes Shqipërisë dhe Portugalisë, por do të shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore për trajtimin e çështjes.
“Ambasada e Portugalisë në Romë ka ndërmarrë veprime që nga momenti kur mori dijeni për ndalimin e shtetasit portugez Ruben Saraiva dhe Konsulli i Nderit i Portugalisë në Tiranë ka siguruar ndjekjen e seancës së leximit të vendimit, e cila u zhvillua dje (25/03) dhe në të cilën gjykata vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për të ndaluarin”, deklaroi ministria e Punëve të Jashtme në Portugali.

Comments are closed.