Mbrëmjen e kësaj të hëne, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zhvilluar një aksion në jug të vendit, ku kanë ushtruar kontrolle në një kompleks vilash luksoze. Burime për mediat konfirmojnë se operacioni është kryer në kuadër të një hetimi të gjerë të Prokurorisë së Posaçme me mbështetjen e BKH-së.
Sipas të njëjtave burime, kontrollet janë zhvilluar në dy vila në pronësi të biznesmenit Ergys Agasi dhe në një vilë të biznesmenit Ermal Beqiri. Veprimet hetimore janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar materiale dhe pajisje që pritet t’i shërbejnë hetimit.
Ashtu sikurse kemi bërë me dije dhe më herët, Prokuroria e Posaçme ka shpallur në kërkim Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, për të cilët është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Ky aksion vjen në vijim të një hetimi të thelluar të SPAK, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, i cili ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale që lidhet me manipulimin e tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Sipas organit të akuzës, kjo skemë dyshohet të jetë realizuar përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë ndaj operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedurat tenderuese.
Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Posaçme ka caktuar masa sigurie për tetë persona. Mes tyre janë edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, për të cilën është vendosur masa e “arrestit në shtëpi”.
Sipas SPAK, në qendër të kësaj veprimtarie të dyshuar kriminale qëndrojnë edhe Agasi dhe Beqiri, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, shtetasit e dyshuar kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të tërhiqen nga ankimet, duke i hapur rrugë shpalljes fituese të kompanive të paracaktuara”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Comments are closed.