Rebelimi i socialistëve të pakënaqur ndaj vendimeve të Edi Rama ka dalë nga korridoret e fshehta të partisë dhe tashmë pritet një valë kandidaturash të pavarura që jo vetëm do të sfidojnë emërimet e kryetarit të PS, por gjithashtu mund të ndryshojnë rrjedhën e garës elektorale dhe hierarkisë brenda partisë. Prej vitesh, fraksione, lobe dhe interesa të ndryshme janë ndeshur mes tyre në PS, por gjithmonë brenda një kufiri të kontrolluar. Në kulmin e këtyre përplasjeve, objektiv kanë qenë zakonisht figura të nivelit të dytë në parti ose qeveri. Në sfond, Edi Rama ka shërbyer si rrufepritës, arbitër dhe përfitues i konfliktit, duke zbatuar me disiplinë parimin klasik “përça dhe sundo”.
Këtë mekanizëm Rama e ka përdorur në vite për të forcuar pushtetin personal dhe për të mbajtur nën kontroll rrethin politik përreth tij. Por situatat e fundit tregojnë se kjo skemë ka filluar të dalë nga shinat. Pasi Erion Braçe shpalli kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ndryshe nga vendimi i kryetarit të PS dhe strukturave të kryeqytetit që kanë shpallur emrin e Ogerta Manastirliu si kandidate për zgjedhjet vendore, ish-ministri socialist Arben Malaj ka paralajmëruar se do të kandidojë si i pavarur në Vlorë.
Qëndrimi i Malajt
Malaj shkroi në rrjetin e tij social së fundmi se ka marrë kërkesa dhe propozime të shumta nga miq dhe dashamirës në Vlorë që të konsiderojë kandidimin për Kryetar Bashkie, ku thekson se nëse vendos ta bëjë këtë, do të jetë i pavarur. Ai e cilësoi Vlorën si një lidhje të veçantë personale dhe profesionale, duke shtuar se drejtimi i bashkisë duhet të jetë një përgjegjësi morale dhe jo një mjet për përfitime. “Angazhimi im do të jetë vetëm si kandidat i pavarur duke i qëndruar besnik parimeve të mia dhe nevojës për një model të ri qeverisjeje që nuk humori i Ramës. Integriteti si Busull, Vlora për mua nuk është thjesht një njësi administrative, por një dashuri e pakufishme”, tha ai. Ish-ministri socialist që është ndër kritikët e qeverisjes së Edi Ramës, thekson se po e mendon propozimin dhe tani është në një proces reflektimi të thellë dhe vendimmarrja do të jetë produkt i një përgjegjshmëri të lartë ndaj qytetarëve të Vlorës.”
Kur të kem një vendim final, do ta komunikoj atë me transparencë të plotë. Akoma nuk kam një vendim përfundimtar, por po respektoj rregullin e artë në politikë: Kurrë mos thuaj kurrë. Nevoja për t’i shërbyer vendlindjes me dinjitet është më e fortë se çdo llogari politike”, tha ndër të tjera Arban Malaj. Ish-ministri reagoi dhe për përplasjet e regjistruara në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku Rama u përfshi në një debat të fortë me ish-ministren Elisa Spiropalin, duke i kërkuar kësaj të fundit të largohej nga mbledhja. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Malaj ka risjellë në vëmendje të episod të ngjashëm të ndodhur vite më parë brenda socialistëve, ku protagonist ishte vetë ai dhe kryesocialisti Rama.
Teksa ka kritikuar qasjen e këtij të fundit në drejtimin e partisë, ish-ministri shprehet se përpjekjet për të kontrolluar debatin e brendshëm dhe për të përjashtuar kritikët kanë qenë të pranishme që në hapat e para që Rama nisi të drejtonte socialistët. “Rama gjithnjë ka dashur t’i përjashtojë ata që e kundërshtojnë. Problemi qëndron te gjithë të tjerët që heshtin dhe nuk e kundërshtojnë Ramën në sjelljen si aga i fshatit”, shkruan Malaj. Ndërkohë që në vijim ka ngritur shqetësimin për mungesën e reagimit nga anëtarët e tjerë të partisë, duke theksuar se heshtja përballë këtyre situatave vetëm sa e forcon këtë mënyrë drejtimi.

Comments are closed.