Resort në Qeparo, fabrikë në Vaqarr, fermë në Mamurras, lokale, prona publike të tjetërsuara, rrjet kompanish, OJF që kanë përfituar qindra mijëra euro para publike, kontrata fiktive dhe transaksione të dyshimta. Kjo është vetëm një pjesë e perandorisë së pasurisë së kamufluar e ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në emrin e rrethit të saj familjar, sidomos në emrin e bashkëshortit dhe vjehrrit, Andri dhe Përparim Ibrahimaj.
Evidencat ngrenë dyshime serioze për një skemë disavjeçare korrupsioni dhe pastrimi parash, përdorimi të pushtetit për pasurimin e familjes, përmes përvetësimit të parave dhe pronave publike, shkëmbimit të interesave, favorizimeve etj. OJF-ja Tirana Ekspres, me drejtor ekzekutiv bashkëshortin e ministres Andri Ibrahimaj, që ka përfituar mbi 250 mijë euro nga buxheti i shtetit, është një nga fijet e përfitimit të ministres Delina Ibrahimaj.
Një pjesë e parave publike që kanë kaluar në llogarinë e OJF-së pas vitit 2019, rezulton se kanë përfunduar në xhepat e bashkëshortit të ministres së Ekonomisë në formë page. Ndërkaq, ky resort në Qeparo, një investim miliona euro mbi pronë publike të tjetërsuar, është një nga pasuritë e fshehura të ministres Delina Brahimaj.
Në qershor të vitit 2021, vjehrri i ministres Delina Ibrahimaj, Përparim Ibrahimaj themelon kompaninë ATLANTID HOSPITALITY shpk, me kapital 100 mijë lekë, me administrator Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres.
Me një kapital vetëm prej 100 mijë lekësh, vjehrri i Ibrahimajt ka ndërtuar këtë resort, duke ngritur dyshime serioze për pastrim parash. Krahas mungesës së burimit të ligjshëm të parave, sipas burimeve, hoteli është ndërtuar pjesërisht pa leje dhe mbi pronë publike të tjetërsuar me letra false.
Nuk dihet nëse kjo pronë përkon me një deklarim të bashkëshortit të Ibrahimajt në vitin 2015, kur thotë se posedon 7.3 mijë m2 tokë, por nëse SPAK dhe BKH-ja do të bëjnë një verifikim të thjeshtë, do të zbulojnë se edhe kjo deklaratë pasurie është e rreme, pasi në këtë sipërfaqe toke ndodhej edhe një shtëpi, e cila nuk u deklarua.
Lulëzimi i bizneseve dhe shumfishimi i pasurive në emrin e vjehrrit dhe bashkëshortit përkon me besimin që Edi Rama i ka dhënë Delina Ibrahimajt si Koordinatore në Kryeministri, drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT-it, drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve, ministre e Financave dhe Ekonomisë, ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe së fundmi Ekonomisë dhe Inovacionit.
Kështu, një godinë 3-katëshe në Vaqarr, Rruga e Arbanës, 500 m nga Hotel Kështjella, e cila shërben si fabrikë për prodhimin e letrës së aluminit, dyshohet se është një tjetër pasuri e fshehur e ministres Delina Ibrahimaj. Në prill të vitit 2024, vjehrri i ministres Ibrahimaj bleu 33 % të kompanisë së pezulluar ALBANIAN ALUMINIUM FOIL. Disa muaj më pas, përmes kësaj kompanie të pezulluar, u ngrit fabrika për prodhimin e letres së aluminit në Vaqarr, një investim qindra mijëra euro me burim të dyshimtë.
Kompania e shpërndarjes së gazit Agi Gas është një tjetër biznes në pronësi të të njëjtit rreth familjar. Përmes kompanisë Agi Gaz, vjehrri i ministres Ibrahimaj ka 45 % të aksioneve në kompaninë e gazit Al.p.in sha, e skeduar për zhvatje të pronave publike. Përmes një privatizimi korruptiv dhe disa vendime të dyshimta, Al.p.in sha ka përlarë mijëra m2 tokë publike tek ish Shkolla e Partisë në Tiranë. Tjetërsimi i pronës publike është finalizuar pas ardhjes së PS në pushtet në vitin 2013.
Në emrin e bashkëshortit të ministres Ibrahimaj, Andri Ibrahimaj figurojnë një rrjet kompanish dhe OJF-sh, suksesi financiar të cilave përkon me ngjitjen e zonjës Ibrahimaj në poste qeveritare. Në dhjetor të vitit 2021, vjehrra e ministres Ibrahimaj, Teuta Ibrahimaj themelon kompaninë e punimeve te ndryshme artizanale ‘Artizanes’, duke ia shitur në vitin 2025 të birit, Andri Ibrahimaj.
Kompania me kapital 100 mijë lekë kamuflon një punishte në Tiranë me adresë Njësia Bashkiake Nr.2, Rruga “Tefta Tashko Koco”, Pallati Palushi. Para se t’a blinte për një vlerë simbolike, bashkëshorti i ministres rezulton i punësuar tek kompania Artizanes shpk.
Në të njëjtën adresë, Andri Brahimaj, në vitet 2023 dhe 2024 ka themeluar dy kompani ‘Te baçja’ dhe ‘Baçja’, me objekt veprimtarie në fushën e bar-restaurant, organizim eventesh, shërbim kateringu etj. Dy kompani me emër pothuajse të njëjtë, objekt veprimtarie të njëjtë dhe në të njëjtin vend të zhvillimit të aktivitetit.
Përmes këtyre dy kompanive, bashkëshorti i Delina Ibrahimajt, në një kohë të shkurtër, rezulton se ka qarkulluar dhjetëra mijëra euro, duke ngritur dyshime të forta për një skemë pastrimi parash. Një pjesë e këtyre parave, kanë kaluar në xhepat e Andri Ibrahimajt përmes pagave të tij dhe ndarjes së fitimit.
Në nëntor të vitit 2023, bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj themelon kompaninë Red Field Farm, për ngritjen e një ferme në Mamurras. Në vitin 2024 kompania rezulton me një fitim modest, por ferma në Mamurras dikton një investim me vlerë mijëra euro.
Emri i bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, Andri Ibrahimaj është i lidhur edhe me kompaninë Urban Distribution shpk, shoqëri e cila ka dyshime të forta se është përdorur për pastrim parash. Kompania për prodhim dhe paketim produktesh ushqimore grumbullim dhe përpunim të mbeturinave etj., është themeluar në vitin 2008 nga Andri Ibrahimaj, i cili i ka dhuruar më pas 20 % të aksioneve Delina Agollit (Ibrahimaj).
Vendndodhja e kompanisë rezulton pikërisht tek ish Shkolla e Partisë në Tiranë, aty ku vjehrri i ministres Ibrahimaj ka tjetërsuar mijëra m2 tokë publike përmes kompanive Agi Gas dhe Al.p.in, duke bashkëpunuar me një kompani italiane. Për përvetësimin e pronës publike ish Shkolla e Partisë ka pasur edhe një dosje penale. Ndërkaq, kompania Urban Distribution shpk e çiftit Andri dhe Delina Ibrahimajt rezulton në vijimësi me humbje.
Në gusht të vitit 2010, Delina Ibrahimaj ia kthen 20 % të aksioneve bashkëshortit Andri Ibrahimaj. Në në shtator 2019, Andri Ibrahimaj ia shet kompaninë Urban Distribution shpk shtetasit Julian Hyka. Ky i fundit ia shet kompaninë shoqërisë CHICKEN FARM ALBANIA me administrator dhe ortak Marenglen Meqemeja. Pas kompanisë qëndron biznesmeni Sokol Meqemeja, i cili është marrë i pandehur nga SPAK-u për pastrim parash.
Një vit pas shitjes së kompanisë me humbje te Julian Hyka, bashkëshorti i Delina Ibrahimajt, Andri Ibrahimaj deklaron 240 mijë euro të ardhura nga një kompani, e cila praktikisht nuk ishte më e tij. Të ardhurat justifikohen me kthim kontributi në kompaninë e falimentuar dhe paga të prapambetura. Kjo deklaratë pasurie e vitit 2020, ku janë futur në sistemin bankar rreth 240 mijë euro para të dyshuara të pista, nuk ka tërhequr vëmendjen e ILDKPKI dhe as të SPAK-ut.
Evidencat ngrenë dyshime të forta se kompania Urban Distribution dhe shtetasi Julian Hyka, pa asnjë historik biznesi, janë përdorur nga çifti Ibrahimaj për të pastruar të paktën 240 mijë euro me një dorë në vitin 2020. Jo vetëm kaq. Por, gjatë vitit 2020, bashkëshorti i Delina Ibrahimajt ka marrë edhe 25 mijë euro nga kompania CHICKEN HOUSE, kamufluar në formë rroge.
Kompania e mishit të pulës CHICKEN HOUSE, që i ka dhënë 25 mijë euro bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, është në pronësi të kompanisë CHICKEN FARM ALBANIA, e cila i bleu Andri Ibrahimajt kompaninë e falimentuar Urban Distribution shpk.
Vështirë të besohet se bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj të ketë punuar vërtetë në kompaninë e mishit të pulës të biznesmenit Sokol Meqemeja. Po pse Meqemeja ka kaluar 25 mijë euro + 240 mijë euro në llogarinë e burrit të ministres Delina Ibrahimajt? A ka finalizuar procedura dhe a ka firmosur vendime në favor të biznesmenit Delina Ibrahimaj si ministre? Cilat janë linjat e tjera të interesave korruptive të ministres së Ekonomisë Delina Ibrahimaj? /Prapaskena.com

Comments are closed.