Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, personi që më 6 tetor të 2025 qëlloi për vdekje gjatë seancës gjyqësore gjyqtarin Astrit Kalaja, është tërhequr nga kërkesa për të ndryshuar masën e arrestit me burg të caktuar ndaj nipit të tij.
Burime për mediat bëjnë me dije se ditën e djeshme rreth orës 11:30 ishte parashikuar të zhvillohej seanca gjyqësore për të shqyrtuar kërkesën e bërë nga Gjon Shkambi, mirëpo gjyqi nuk u zhvillua pasi ky i fundit hoqi dorë nga tentativat për të ndryshuar masën e sigurisë së nipit të tij.
Fillimin e tetorit që lamë pas, në seancën e zvilluar për çështje pronash për të cilat familja Shkambi pretendonte se u përkasin atyre, pak para se të merrte vendimin për këtë çështje, gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua para se të jepte fjalën e tij, nga djali i familjes. Familja Shkambi prej vitesh ishte në pritje të drejtësisë për pronat që pretendojnë se janë të tyre duke shtuar se padrejtësisht përdoren nga qytetarë të tjerë.
Pasditen e 6 tetorit, Elvis Shkambi u vu në pranga nën akuzë për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja ku dhe pranoi krimin e bërë.
“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia”, është shprehur Elvis Shkambi, në deklaratën paraprake, menjëherë pas arrestimit nga uniformat blu.
Në vitin 2023, Babai i Elvis Shkambit u shfaq në media dhe u shpreh se është pronari i godinave ku jetojnë 31 familje, ish-shkolla e rezervave në Shkodër, dhe pronat i ka me dokumentacion të rregullt dhe i ka fituar përmes proceseve gjyqësore.
Një muaj pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, fillimin e nëntorit të 2025, Elvis Shkambi shfaqi pendesë për ngjarjen e rëndë dhe përmes një letre të shkruar nga ambientet e burgut kërkoi falje për tragjedinë që la një plagë të madhe te familja Kalaja e jo vetëm.
Edhe pse ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin publik pasi vrasja ndodhi në një institucion ku siguria pritet të jetë në nivele të larta, xhaxhallarët e autorit të vrasjes kanë tentuar që të ndryshojnë masën e arrestit me burg të caktuar ndaj Elvis Shkambit. Ndërsa kanë paralajmëruar se kush tenton të burgosë nipin e tyre do të ketë të njëjtin fat si gyqtari Kalaja.
Mirëpo së fundmi mësohet se njëri prej xhaxhallarëve të vrasësit të gjyqtarit Kalaja, Gjon Shkambi është tërhequr nga përpjekjet për të siguruar lirinë e nipit të tij që më 6 tetor ekzekutoi gjykatësin te Gjykata Administrative e Tiranës.

Comments are closed.