Dhënia e shtetësisë shqiptare për Eric Adams ka bërë bujë më mediat ndërkombëtare. Mirëpo dosja e publikuar pak ditë më parë nga “Pamfleti” për izraelito-amerikanin Ron Yeffet është një dëshmi e qartë se si bëhen pazare me pasaportat…
Ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams, iu desh një vizitë në Shqipëri për të marrë pasaportën shqiptare. Edhe pse ka ligje dhe rregulla të qarta (shumë shtetas nga Kosova kanë vite që kanë aplikuar dhe nuk u jepet), Adams e ka përfituar me një të rënë të lapsit.
Jo se ka ndonjë gjë të keqe që ai të marrë pasaportën tonë, por duket se ka diçka që nuk shkon. E para, nuk është se atij i hyn në punë dhe në shumë media të huaja ka bërë habi kjo gjë, pasi Shqipëria është një vend i dorës së dytë.
E dyta, kur figura të tilla bëhen shqiptarë, me gjasë fshihet diçka tjetër nga pas. Ka pasur shumë raste kur individë të ndryshëm nëpër botë janë bërë shqiptarë për t’u shkëputur drejtësisë. Kemi rastin e vëllezërve indianë të famshëm.
Ndërkohë, shumë të tjerë kanë përdorur pasaportën për t’u afruar me Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Rasti më i pastër është ai i izraelitit Ron Yeffet.
“Pamfleti” publikoi të enjten një dokument ekskluziv, ku tregohej se izraeliti Ron Yeffet ishte paditur në SHBA për mashtrim. Ai i ka marrë një biznesmeni 8 milionë euro, me pretekstin se do t’i investonte në pasuri të patundshme, dhe në fakt nuk ka bërë asnjë investim. Në padi përmendet disa herë Shqipëria.
Dokumenti thekson se Yeffet organizoi disa udhëtime ndërkombëtare me avion privat, ku përfshihej edhe Shqipëria, krahas destinacioneve si Roma, Parisi apo ishujt e Karaibeve. Këto udhëtime, sipas padisë, nuk ishin thjesht sociale, por kishin si qëllim të mbanin investitorin të angazhuar dhe të bindur për seriozitetin e marrëdhënies dhe investimeve.
Gjatë këtij udhëtimi në Shqipëri, sipas dokumentit, janë diskutuar investimet dhe janë dhënë garanci për zhvillimet e ardhshme. Po ashtu, përmendet edhe një element tjetër i pazakontë: ideja për të siguruar një pasaportë shqiptare për investitorin, e cila përshkruhet si një formë trajtimi ekskluziv për të forcuar më tej besimin.
“Ai gjithashtu hodhi idenë e mundësisë për të siguruar një pasaportë shqiptare për Faist-in, një tjetër gjest që dukej si akses ekskluziv dhe trajtim i veçantë, i llogaritur për të ruajtur besimin e Faist-it dhe për të zbutur dyshimet në rritje për faktin se ai nuk kishte marrë asnjë kthim nga investimet”, thuhet në padi.
Pra, kjo pjesa e fundit është dëshmia më e qartë se çfarë ndodh me pasaportat. Edhe pse ka ligje dhe procedura, pasaporta shqiptare përdoret për qoka nga miqtë e Edi Ramës. Pasazhi më lart dëshmon qartë se mjafton që dikush t’i kërkojë Bablokut se do një pasaportë për “X” person, kjo gjë është e mbyllur. Shumë kush mund të thotë se është presidenti ai që shpall dekretin. Në fakt, thuajse të gjithë emrat presidentit i shkojnë nga Ministria e Brendshme; është ajo që “qep” letrat dhe presidenti në fund nuk ka se ç’bën.

Vetë Ron Yeffet e ka marrë pasaportën shqiptare që në vitin 2018, me një dekret të Presidentit Ilir Meta në atë kohë. Pasi ai mori pasaportën, iu fut biznesit në Shqipëri. Madje, ai është parë disa herë në Kryeministri, ku thuhet se ka pasur takime private me Edi Ramën.
Ron Yeffet u shfaq në publikun shqiptar kur qeveria shqiptare, nëpërmjet KAYO dhe kompanisë izraelite Elbit System, firmosi një marrëveshje për blerje armatimesh dhe investime në sektorin e mbrojtjes. Vetëm pak kohë më pas, kjo kompani u vu nën hetim nga vendet anëtare të NATO-s dhe u përjashtua nga tenderët.

KAYO, e themeluar në vitin 2024 nga qeveria shqiptare, ka krijuar katër kompani të tjera, ku në dy prej tyre aksioner është edhe Ron Yeffet.
Një prej kompanive, e krijuar nga KAYO me 20% të aksioneve dhe Ron Yeffet me Arjeta Pucën me 80% të aksioneve nëpërmjet kompanisë së tyre TIMAK, është shoqëria TIMAK Defence.
Ron Yeffet është ortak i kompanisë TIMAK, ku ai zotëron 49% të aksioneve dhe Arjeta Puca 51% të aksioneve.
Kompania TIMAK deri më tani ka marrë dhjetëra tenderë nga institucionet publike në vend, me vlerë mbi 2 milionë euro. Ndërsa kompania TIMAK Defence ka marrë 10 milionë euro nga buxheti i shtetit. Pra, një mashtrues si Ron Yeffet ka marrë miliona nga taksat e shqiptarëve. /Pamfleti

Comments are closed.