“Këtu prehet shërbëtori i Zotit Reposhi, Duka Ilir, viti 6939 ” (viti 1431)
Kjo shprehje është e shkruajtur në një afreskë të Kishës së Manastirit të Hilandarit në Malin e Shenjtë të Greqisë, aty poshtë muri prej gurësh, ku sipas dokumentave të vjetra, gjendet i varrosur Reposh Kastrioti, i biri i Gjonit dhe vëllai i Skëndebeut.
Kisha vite që e kish mësuar këtë fakt, dhe në mendjen time ai vend sikur më thërriste atje për ta nxjerrë nga heshtja braktisëse e patriotëve të tij.
Dhe shkova, jo vetëm për kureshtje, dhe jo vetëm për ta parë…
Ishte fillim marsi i vitit 2026.
Pas mjaft përpjekjesh telefonike dhe dështimesh për tu lidhur me drejtuesit e manastirit, më në fund erdhi dita fatlume.
Udhëtimi nëpër mugëtirën e historisë
Mali i Shenjtë është këmba e tretë e gadishullit të Halkidikisë në lindje të Selanikut, i cili përbëhet nga 20 Manastire të besimit ortodoks të krishterë, dhe ka statusin e krahinës autonome nga shteti grek, me liri të plotë administrative dhe fetare.
Hyrja atje lejohet vetëm me leje të posaçme nga autoritetet e Malit të Shenjtë, dhe vetëm për meshkuj. Eshtë e ndaluar hyrja e femrave për të mos turbulluar lidhjen shpritërore të murgjëve dhe përkushtimin e tyre ndaj botës së epërme.
Rregullat në manastire janë shumë strikte.
Është tjetër botë, tjetër klimë, tjetër kod sjelljeje dhe komunikimi.
Dhe aq më vështirë bëhet kjo për një studjues që synon të shikojë përtej asaj që duket, dhe që gjendet në pergamenet dhe reliket historike mbi njëmijë vjeçare, e mbuluar nën tokë, e murosur në muret e ftohtë, e pikturuar apo gdhendur në afreskat dhe mbishkrimet e shumta.
Ndërsa isha i ftuar nga Igumeni i një manastari tjetër, po përgatisja vizitën tek Manastiri i Hilandarit ku gjendej varri i Reposhit. Nga kërkimet e mia në arkivat serbe, greke, amerikane dhe ruse, e kisha të skicuar në mëndjen time kishën ku prehej trupi i Reposhit, hyrjen, krahun dhe vendin ku gjendej afresku mbi varrin e tij.
Atë të diel marsi, u nisëm në mëngjes pa gdhirë nga manastiri ku qëndronim unë, Kosta dhe vëllai i tij Dhimos, banor prej 30 vitesh në Malin e Shenjtë.
Në konsipracion të plotë, të ndikuar nga mungesa e komunikimit me manastirin dhe me cfarë na kishin thënë murgjit se ata atje në Hilandar nuk janë të afrueshëm.
Sidomos po të jesh shqiptar nuk parashikohet reagimi prej atyre, më kishte thënë shoqëruesi ynë bujar, Dhimos.
Rruga e vështirë prej gurësh, dheut dhe baltës, mes kodrave pa fund, duke ndeshur edhe një postbllok me roje, të cilin për fat e njihte shoqëruesi ynë, duke i thënë se do shkonim në një manastir tjetër, dhe jo në Hilandar.
Misticizmi ishte i pranishëm kudo, në shpirtrat dhe në mëndjet e njerëzve.
Filloi të zbardh dita, dhe pas afro dy orë shikojmë poshtë mesh kodrave Manastirin e Hilandarit.
Në qënien time trokiste ora e shumëpritur…
Jashtë manastirit shikojmë të parkuar një makinë të policisë greke.
– Manastiri është serb tha Dhimos, dhe ruhet e sigurohet nga policia greke.
Pasi kaluam hyrje e manastirit, doli para nesh kisha. Hyrëm brenda.
Me dhjetra murgj, besimtarë dhe pelegrinë serb mbushnin kishën e manastirit. Dëgjohej vetëm zëri i meshtarit dhe i psalltëve në gjuhën serbe.
Unë me Kostën, të dy me shtat të shkurtër para serbëve të gjatë, të heshtur, të mbërthyer nga një ngrirje të ftohtë.
Kosta më pa në sy i habitur dhe më tha në greqisht
– këta sikur po nisen për luftë …!!!
Psikologjia jonë ballkanike tejet e ngarkuar, deri në kufitë e pasigurisë. Nuk kuptoja gjuhën sllavonike të Meshës, ndërkohë që shumë mendime më vinin në kokë.
Në fund të fundit unë isha këtu për të respektuar këtë vend, njerëzit dhe besimin e tyre.
Unë isha mes tyre, por siç duket jo njeri prej tyre…Ndoshta ishte ngarkesa e paragjykimit tim dhe Kostës. Para Zotit jemi të gjithë njësoj.
Në një cep shikoj sarkofagun e argjendtë të Shën Simeonit (Stefan Nemanjës). Pyes murgun që kisha pranë:
– Sveti Simenon ?
Ai pohoi me kokë. Por pas pak mu drejtua me vështrimin e tij të mprehtë poshtë syzeve miopike dhe më pyeti me një greqishte të çalë:
– Grek je ?
– Po, i them.
– Njëqind përqind grek (ekaton tis ekato elinas) ? (Dhimos më kishte thënë se murgjit këtu nuk duan që të vijnë shqiptarë, nga frika mos shkaktohen konflikte )
– Njëqind përqind jemi vetëm të Zotit, i them unë (ekaton tis ekaton imaste mono tu Kiriu).
Ai uli kokën. Ndoshta mendoi se vetëm një besimtar mund ti përgjigjej kështu…
Duke çarë mes turmës, për të gjetur afreskun me mbishkrimin shikoj para meje një polic grek.
I fola, si për ti thënë që jemi edhe ne këtu…
Mesha kishte mbaruar, dhe njerëzit po rralloheshin. Unë nuk po gjeja afreskun e Reposhit, ashtu siç e kisha fotografuar në mendjen time.
Kudo që shikoja përreth ndeshja vështrimin e murgjeve të ulur rreth e qark mureve.
Kthej kokën, dhe befas atje në cep poshtë dritareve vërej afreskun tim poshtë dritareve të mëdha. Pamjen po ma pegonin rrezet e dritës që vinin nga dritaret apo buronin prej varrit të Reposhit… ?! Fotografova me nxitim.
Më dukej se më shikonin të gjithë mua. Thërrita Kostën dhe i thashë;
– më bëj një fotografi në hyrje të kishës.
Sapo Kosta bëri foton e parë, mbiu një murg e më thotë në anglisht:
– Mbylle atë të mallkuar !
– Patjetër, i thashë, por hyrjen e Kishës fotografova mora.
Dhe i tregova fotografinë në celular.
– Deleat it ! (Prishe).
Pa e parë fare murgun që ndoshta kishte të drejtë sipas rregullave murgjërore, e prisha fotografinë e fundit.
– Ikim, më thotë Kosta. Nuk duhet të rrimë më këtu.
Ndërsa murgjit dhe pelegrinët po dilnin dhe po ngjiteshin në sallën e ngrënies së mëngjesit, ne dolëm jashtë duke fotografuar dhe marrë në video ambientin e brendshëm të manastirit rreth Kishës.
Jashtë manastirit na priste Dhimos në makinë gati për tu larguar.
Makina po ngjitej rrugës së kthimit dhe unë isha akoma i ngrirë, i murosur si Reposhi atje nën mur.
Reposhi më kishe marrë me vete në murosjen e tij, ndërkohë që unë vajta të nxjerr Reposhin e Kastriotëve nga murosja e harresës historike.
Historia që flet nga varri…
I kredhur ashtu në në vorbullën e përjetimeve i them Dhimos të ndaloj pak makinën. Diku këtu pranë janë rrënojat e Kullës Shqiptare (arbanskij pirg – shkruhet në dokumentat e kohës. Bile një pikturë e Hilandarit e vitit 1757, që gjendet në Rusi përfshin edhe Kullën shqiptare.
Qëndroj dhe eci pak, aty ku kishte shkelur këmba e Kastriotëve…
Ekzistojnë dy marrëveshje të viteve 1426 midis Manastirit të Hilandarit dhe Gjon Kastriotit, ku dëshmohet blerja e Kullës me tokat përreth, vreshta ullinj etj. prej Gjon Kastriotit dhe e djemve të tij për përdorim sa të ishin gjallë, (adhelfate, quheshin atëhere).
Në njërin prej dy marrëveshjeve shkruhet se Gjoni me djemtë e tij i japin Manastirit 60 floriane dhe të ardhurat e dy fshatrave në afërsi të Dibrës Radostushe dhe Trebishtë si edhe të Kishës së Shën Marisë atje.
Në ato kohë kur Ballkani po ziente nga turbullirat dhe ndryshimet historike me pushtimet otomane, dhe kur shteti serb pothuajse ishte shbërë. Manastiri i Hilandarit kishe mbetur pa mbështetje ekonomike nga serbët dhe bujarët e tjerë ballkanikë, si ata të Vallhisë etj.
Duket se Gjon Kastrioti i Arbërisë ishte kthyer në atë kohë në një nga donatorët kryesorë të manastirit me ndihma ekonomike, ndoshta edhe me mbrojtje ushtarake.
Në dokumentat e Hilandarit, kopjet e të cilave gjenden në një Universitetet përtej oqeanit, janë lista e ktitorëve (donatorë, mbështetës, ruajtës) të Manastirit të Hilandarit.
Ktitorët në Mesjetë ishin persona shumë të rëndësishëm dhe të respektuar përjetësisht prej manastireve që ata kishin ndihmuar.
Mes personave kryesorë që janë në listën e ktitorëve të Manastirit të Hilandarit, janë edhe Gjon (Ioan) dhe Reposh Kastrioti, (si edhe dy shqiptarëve të tjerë të pa njohur deri tani).
Dhe sipas rregullit të Kishës, emrat e tyre duhet të përmenden në çdo Meshë të shtunave përjetësisht.
Varri i Reposhit në Kishën e një prej manastireve më të rëndësishëm të Malit të Shenjtë, dhe shënimi në afresk se këtu prehet shërbëtor i Zotit, Reposhi, Duka iIir në vtin 1431 (6939), është një dëshmi e pozitës së tij në atë kohë. Termi “Duk” ishte i më shumë i përdorur në botën latine si edhe në zonën ku takoheshin të dy ritet e Krishtërimit, dhe shprehte më shumë administratorin e një vendit, dhe veçanërisht atë ushtarak.
Mbetet për të hulumtuar në arkivat e Hilandarit, të Rusisë dhe Amerikës për jetën dhe lidhjet e Reposhit me manastirin historik, që siç duket kanë qenë të rëndësishme.
Edhe pse ky manastir quhej prej vitit 1198 e deri sot serb, edhe pse roli i tij me Shën Savën etj, është themelor në formimin shpirtëror, kombëtar dhe politik të serbëve, duhet thëne se në Manastiret e Malit të Shenjtë para 5 shekujsh nuk ishte parësore në funksionimin e tyre prejardhja etnike, por pëkushtimi tek perëndia dhe besimi i ortodoks i krishterë.
Në Manastirin e Hilandarit kanë qenë ktitorë të mëdhnjë edhe fisnikët e Vllahisë, bullgarë, rusë etj. Bile në fund të shekullit të 19-të mbreti serb gjatë vizitës së tij nuk gjeti asnjë murg serb në këtë manastir.
Në këtë plan duhet parë edhe prania e familjes së Kastriotëve dhe ktitorëve të tjerë pre prejardhje arbnore aty.
Nuk e dimë, kur u shkruajt dhe kush e shkruajti këtë fjali mbi varrin e Reposhit, por është e rëndësishme që u ruajt deri në ditët e sotme.
Ky mbishkrim më shumë se një epitaf varri dëshmon për jetën, për statusin shpirtëror për veprimtarinë dhe pozitën ne Ballkanin e Mesjetës të familjes fisnike arbërore të Kastriotëve.
Emri etnia ilire dhe viti i vdekjes janë të dhëna me vlera themelore historike. Termi “Duk ilir” përbën dëshmi të qartë, se Reposhi nga vetë murgjit atje nuk konsiderohej serb, por ilir.
Duke mbledhur bashkë të gjithë pjesët e dëshmive historike, Duka ilir, i biri i Gjon Kastriotit (Ioanit), bashkëpronar i Kullës shqiptare, vëllai i Skëndërbeut, prijësit arbëror, na formohet një mozaik i qartë i përmasave historike në kuptimin e hapjes së një kapitulli të ri të pa studjuar të lidhjeve së derës së Kastriotëve me botën shpirtërore ortodokse të Ballkanit.
Kastriotët nuk paskan qenë vetëm luftëtarë legjendarë, por edhe misionarë të botës shpirtërore.
Ata ishin pjestarë të barabartë të nivelit të fisnikëve të tjerë ballkanas në botën e atëhershme.
Ndoshta për fat të keq të shqiptarëve, ishte koha kur embrioni i etnogjenezës shqiptare u muros pa u zhvilluar më tej në proçesin e tij të natyrshëm…
Tani rruga e kthimit për në manastirin ku strehoheshim ishte më lehtë, ku më dukej se drita e ditës forcohej nga drita që morëm me vete nga varri i Reposhit.
Historia po hapte gurët e varrit duke dalë nga murosja shekullore për tu shfaqur ashtu siç ishte, jo si mit, por si dritë.
Për këtë duhen akoma kërkime, rrëzime muresh dhe ndriçim i së vërtetës.
Dritë e së shkuarës sonë, që mund ti shërbejë së ardhmes….
Dr. Luan Zyka
Prill 2026


Comments are closed.