Skip to content

Ushtarak i sprovuar! Kush është ambasadori i ri i Shqipërisë i nominuar nga Trump, që nuk do u pëlqejë aspak politikanëve

Pas më shumë se dy vitesh pa ambasador, Presidenti amerikan përzgjedh një ish-gjeneral të lartë të ushtrisë për të përfaqësuar SHBA në Shqipëri.

Presidenti amerikan Donald Trump ka përzgjedhur emrin e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Ambasada e SHBA ka afro 3 vite pa ambasador dhe sot Trump ka nominuar gjeneralin e pensionuar Eric Wendt si pasues të Yuri Kim. Emri i tij është dërguar në Senat dhe nëse miratohet aty, gjenerali pritet të stacionohet në Tiranë.

Eric P. Wendt është një gjeneral-lejtnant i pensionuar i Ushtrisë së SHBA, i cili ka shërbyer së fundmi si komandant i 5-të i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, detyrë që e përfundoi në janar të vitit 2021.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur disa poste të rëndësishme në strukturat ushtarake amerikane dhe ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si Koordinator i Sigurisë i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si shef shtabi i Komandës së Paqësorit të SHBA, si dhe në role të tjera drejtuese në operacionet speciale, përfshirë Korenë dhe Afganistanin.

Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, në fushën e ligjit dhe shoqërisë, ndërsa më pas ka përfunduar studimet master në çështjet e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai u tërhoq nga ushtria në mars të vitit 2021, pas më shumë se 34 vitesh shërbim, ku përfshihen mbi 30 vite në forcat speciale si “Green Beret”. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreançen.

Më herët, në vitin 2020, Presidenti Trump e kishte propozuar për ambasador në Katar, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati para përfundimit të mandatit të Kongresit të atëhershëm.

Prej gati 3 vitesh, ambasada amerikane në Tiranë nuk ka një ambasador në krye të saj. Në qershor të vitit 2023, Yuri Kim u largua nga Shqipëria dhe prej asaj kohe, ka pasur vetëm të dërguar të posaçëm.

Gjatë kohës që Biden ishte president, ai nominoi në këtë post David J. Kostelancik. Por kandidatura e tij u zvarrit derisa u “dogj”. Ai doli para Senatit, por emri nuk arriti të hidhej për votim. Që në verën e 2023, politika shqiptare ka “hedhur valle”, pasi të gjithë e dimë rëndësinë e ambasadës së SHBA. Të gjithë vinin në rresht para ambasadores Yuri Kim apo paraardhësve të saj. Por gjatë kohës që ka pasur të dërguar, pesha e ambasadës ka rënë. Por duket se situata do të ndryshojë. Trump ka caktuar një gjeneral në këtë post dhe prezenca e tij në Tiranë pritet të jetë shumë e fortë. /Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.