Eksperti i kriminologjisë, Ervin Karamuço, ka reaguar pas ngjarjes së fundit duke theksuar se shteti nuk duhet të presë viktima për të ndërhyrë ndaj korrupsionit dhe abuzimeve që rrezikojnë jetën e qytetarëve.
“Ne nuk do presim me dhjetëra viktima që të fillojmë të merremi, kush vjedh, kush korruptohet në kurriz të qytetarëve të jetës së shëndetit të tyre, se janë të pritshme këto. Këto do ndodhin. Nëse ti s’merr masa këto do ndodhin. Është një cikël kriminologjik ky. Fillon nga A-ja te Z-ja. Është rasti më i mirë për të kuptuar që në këtë lloj hetimi,” tha Karamuço.
Ai shtoi se hetimet e thelluara shpesh nxjerrin në pah zinxhirë të tërë personash të përfshirë, duke përmendur rastin e 5 majit si shembull të përsëritjes së ngjarjeve.
“Ata që merr nën akuzë nuk duan një dy makina policie, duan autobus aq shumë janë. Po, po, janë zinxhirë. Janë zinxhir. O kanë mbyllur sytë, o kanë marrë para. Pra kanë një mënyrë këta të mosveprimit ose të veprimit kriminal. Shyqyr që nuk ka jetë njerëzish, por po e lanë kështu do ketë tjerë njerëzish fatkeqësisht,” u shpreh ai.
I pyetur nëse do të dalin përgjegjësi pas këtij rasti, Karamuço tha se vëmendja ka qenë maksimale, deri në nivel ministror, por paralajmëroi se hetimet shpesh zgjasin me vite dhe përfundojnë pa rezultat, sidomos kur bëhet fjalë për ndërtuesit.
“Vetë ministri i Brendshëm, vetë i përgjigj Policisë së Shtetit. Ai ka dhënë urdhër: shikoni dëmet, çfarë ka të tjerë e të tjerë. Në fakt referimet i bën Policia e Shtetit që nxit Prokurorinë, pavarësisht se Prokuroria mund të shkojë vetë dhe të marrë situatën në kontroll. Por për çdo dyshim policia nuk pengohet për të bërë referime dhe do ketë referim konkretisht. Por çfarë do bëhet më pas? Këto hetime kalojnë një vit, dy vjet. Eksperimenti a u bë a s’u bë, dhe kalojnë e mbyllen siç mbyllen zakonisht. Sidomos për ndërtuesit mbyllen shumë mirë. Mbyllen, shumë mbyllen, patjetër. E kemi parë, ka raste të përsëritura të ndërtuesve që mbyllen,” tha Karamuço për Euronews.

Comments are closed.