Zjarri masiv që shkrumboi dje pallatin në kompleksin “Arlis” pranë zonës së “Farmacisë 10” në Tiranë, duke lënë pas mbi 30 apartamente të shkatërruara dhe 11 persona të lënduar, ka hapur një debat të madh jo vetëm për cilësinë e materialeve të ndërtimit, por edhe për sigurinë financiare të banorëve.
Ndërkohë që qindra familje shohin të djegur mundin e një jete, një paralajmërim i fortë vjen nga ekspertët.
Përmes një reagimi që po bën xhiron e rrjetit pas ngjarjes te “Arlis”, eksperti shpjegon se shumë qytetarë mund të jenë duke paguar qindra euro në vit për sigurimin e shtëpisë, por në rastin e një shkëndije elektrike (një nga pistat kryesore që po hetohet për zjarrin e djeshëm), dëmshpërblimi mund të mbetet thjesht një ëndërr.
“Ju mund të paguani 200 apo 300 euro siguracionin e shtëpisë në vit, por nuk ekziston asnjë kompani sigurimi në botë që do t’ ju dëmshpërblejë nëse ju digjet shtëpia nga një shkëndijë elektrike, për aq kohë sa nuk ka certifikim dhe kolaudim periodik të impiantit elektrik ose sistem mbrojtjeje kundër zjarrit. Me pak fjalë, para të humbura kot!” – shprehet eksperti.
Sipas tij, kompanitë e sigurimit kanë klauzola strikte që kërkojnë mirëmbajtje teknike të godinës. Nëse pallati nuk ka dokumentacionin e rregullt të kolaudimit të sistemit elektrik apo nëse sistemet kundër zjarrit (hidrantët, bombulat, detektorët e tymit) nuk janë funksionale, kompanitë e quajnë pakujdesi të pronarit apo subjektit dhe refuzojnë pagesat.
Ngjarja e djeshme te “Farmacia 10”, ku flakët u përhapën me shpejtësi marramendëse përmes fasadës, ka vënë në lëvizje edhe Policinë e Shtetit. Janë arrestuar katër persona, mes tyre menaxherja e biznesit ku nisi zjarri dhe nënkontraktori i fasadës, ndërsa administratori i kompanisë “Arlis” është shpallur në kërkim.
Ky alarm i ekspertit shërben si një thirrje zgjimi për të gjithë banorët e pallateve të reja në Tiranë: Sigurimi i shtëpisë nuk mjafton nëse pallati ku jetoni nuk plotëson standardet teknike të certifikuara. Në rast tragjedie, mund të mbeteni jo vetëm pa shtëpi, por edhe pa asnjë qindarkë dëmshpërblim.

Comments are closed.