Ish President i klubit Partizani, njëkohësisht ish gardist Paro Laçi pritet të dëshmojë përballë ish kryeministrit Sali Berisha në dosjen Partizani, në GJKKO. Fillimisht Gjykata e Posaçme do thërrasë listën e dëshmitarëve të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, duke nisur nga Taulant Balla.
Taulant Balla do të pyetet në cilësinë e kallëzuesit. SPAK kërkoi që në proces të thërriten 11 dëshmitarëve për seancën e radhës, por trupi gjykues i kryesuar nga Elsa Ulliri vendosi për shtatë prej tyre. Në seancën e 30 prillit, pritet të dëshmojnë Taulant Balla, Afrim Tole, Isa Tare, Bujar Labinoti, Albert Xhani, Dhurata Çela si edhe Petrit Kullolli.
Dëshmia e Paro Laçit fundos Berishën
Gazeta “SOT” ka nxjerrë fakte nga dosja 500 faqëshe e SPAK, që akuzon Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Malltezi se kanë përfituar afro 6 milionë USD nga privatizimi i klubit Partizani. Paro Laçi ka bërë një kallëzim për mbylljen e derës së klubit. Laçi ka treguar për SPAK disa episode sesi kërcënohej në emër të Berishës nga familjarë të tij por edhe nga të gjitha strukturat e shtetit, përfshirë policinë dhe ministrat, për t’u larguar nga ish-kompleksi. Laçi përmendi me emra disa prej personave që sipas tij i kanë bërë presion. “Xhimi Begeja ka pretenduar se ka vendosur të bllokojë derën kryesore që të mos hynin automjete, ndërkohë që dera tjetër ku futen sportistët ka qenë dhe është e hapur.
Ditën e kallëzimit, rreth orës 11.20, Paro Laçi i ka thyer këto rregulla duke hyrë me forcë në ambientet e klubit, duke bërë shantazh, duke ofenduar çdo person që i del para duke e kërcënuar personalisht Xhimin. Prandaj Xhimi ka njoftuar policinë,”shkruhet në dosjen e SPAK. Po, sipas Paro Laçit, Policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes por nuk kishin bërë asgjë. “Më thanë se urdhrat i jepte Xhim Begeja duke thënë Këtu është Sali Berisha. Është prona e Sali Berishës dhe e familjes së Sali Berishës. Unë jam daja i Jamarbër Malltezit shtetasit Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi i kanë thënë se prona ishte e tyrja, e familjes së Sali Berishës, është vetë Sali Berisha në këtë mes, urdhërat i jep Sali Berisha,”-madje pretendon se Jamarbër Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, bashkë i kanë bërë presion.
“Me Shkëlzenin ka shkëmbyer edhe mesazhe telefonike. Një rast Shkëlzeni i ka thënë është pronë e familjes sonë, është pronë e jona, e kanë trashëgimi të vjetër Jamarbër Malltezi ka dashur t’i mbushë mendjen, janë takuar para marsit 2011 në ambientet e Klubit të Futbollit Partizani. Sipas tij, Jamarbëri i ka thënë “Unë jam përfaqësues i pronarëve. Unët do të ndërtoj kulla këtu. Unë kudo që shkoj, shkoj në emër të Berishës dhe nuk m’i mbyll dot ti rrugët. Dyert i kam të hapura kudo.”
Ai pretendon se nga Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi i kanë ofruar si shpërblim 500 000 euro dhe ambient banimi e garazh me kusht që të largohej dhe nënshkruante largimin nga ambientet. Po ashtu, përmend edhe një bisedë që ka bërë me asokohe ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. “Është pronë e Sali Berishës, ka dorë Sali Berisha, ma ka dhënë postin e Ministrit për të firmosur për ambientet e Partizanit, kam firmosur dhe do firmos çdo letër!”
Presionet
Për arsye që nuk dihet, Paro Laçi përmend se ka zhvilluar takime edhe me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë dashur që ta bindnin që të mos rezistonte dhe të dorëzonte ambientet. “Në atë kohë, Policia ka pasur një dhunë të vazhdueshme duke mos i lënë të hynin në ambientet e Klubit të Futbollit. Erzen Breçani teksa ka qenë në drejtimin e Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë, shfaqet i angazhuar në përballjen me këto konflikte. Me shkresën nr.201, Fatmir Bektashi, nën siglën e shoqërisë “Kontakt sh.pk”, i është drejtuar shefit të Komisariatit të Policisë nr 2 Tiranë Erzen Breçani, ku i ka kërkuar prishjen e objektit pa leje, të merren masa urgjente për prishjen e murit pa leje të ndërtuar nga Flamur Kolmarku dhe Dritan Saka, i ngritur mbi pronat e familja Begeja, për të cilat është nënshkruar kontratë për zhvillimin e tokës me kompaninë Kontakt sh.p.k.”
Në një dokument të gjendur pranë studio “Pustina”, me emërtimin “Homeplan shp.k. 2012”. Në pyetje nga SPAK është marrë Genci Jakollari. “Në vitin 2007 është emëruar ‘SPZ-Inspektor Rendi Zone’ ku ka mbuluar disa zona, Fatmir Bektashi e njeh. Mesa kujton mund ta ketë njohur nga periudha 2010-2012 kur ka qenë 1 Inspektori i Zonës, në zonën e parkut ku ky shtetas kryente ndërtime në zonën e Ish-Klubit Partizani. Ne atë periudhë Fatmir Bektashi i dërgonte shefit të Komisariatit shkresa ku kërkonte mbështetje pasi haste pengesa dhe vështirësi për kryerjen e punimeve në kompleksin e pallateve nga banorë të cilët kishin zënë një pjesë të godinave të klubit të futbollit “Partizani”. Banorët që kishin zënë këto godina nuk dilnin nga këto ambiente dhe për më tepër ju dilnin përpara makinerive.”
Detajet
Sipas tij, në Komisariatin nr.2 i Policisë së Shtetit, Fatmir Bektashi ka bërë disa kërkesa ku kërkonte hartonte plane masash që të nxirreshin banorët nga objektet ku do të ndërtohej. “Më vonë, Fatmir Bektashi, gjeti gjuhën e përbashkët me këto banorë informalë, nuk e di nëse ju ka dhënë ndonjë hyrje, që u qetësua situata sepse ishte shumë shumë e vështirë. Kanë qenë të paktën 5 ose 6 familje që bënin rezistencë dhe nuk dilnin nga këto ambiente. Fillimisht shefi i Komisariatit ka qenë i ndjeri Nikoll Varmikaj, më vonë ka qenë shtetasi Erzen Breçani. Më së shumti planet e masave janë zbatuar në kohën që shef Komisariati ishte shtetasi Erzen Breçani.
Kur ka qenë Viti i Ri, Fatmir Bektashi ka dhënë shpërblim. Bektashi nuk i ka kërkuar asnjë nder dhe as Genci nuk i ka bërë ndonjë nder, pazi vetë personalisht nuk ka patur mundësi dhe kompetenca që ta ndihmonte. Gjithashtu nuk i ka kërkuar asnjë përfitim monetar për punën që po kryente. Çdo marrëdhënie në lidhje me punën me këtë shtetas ka qenë shkresore me komisariatin.”
Konflikte familja ka pasur edhe me familjarë me mbiemrin Hasa (Avni dhe Ermir Hasa), ku për të shuar këto konflikte u është kërkuar heqja dorë nga procesi i legalizimit të ndërtimeve të tyre përkundrejt dhënies së ambienteve ndërtimore si dhe pagesave në formën e pagës në shumën 1 000 euro në muaj (shih kontratat e shkëmbimit të lidhur me këta shtetas në vitet 2010 dhe 2011). Laura Pustina, ku me qëllim dhënien vlefshmëri ligjshmëri, këtyre veprimeve shoqëria Homeplan paraqitet si dhuruese për tre apartamente dhe njësi për shtetasit Hasa duke u pasqyruar se dhurimi bëhet pa kusht dhe pa shpërblim, gjë që në fakt nuk është e vërtetë pasi këto dhurime janë bërë kundrejt detyrimit për heqjen dorë nga procedurat e legalizimit.

Comments are closed.