Grabitje në një bankë në Napoli: persona të armatosur mbajtën 25 pengje dhe u arratisën përmes një tuneli, ndërsa të gjitha pengjet u liruan pa lëndime serioze pas ndërhyrjes së autoriteteve.
Një grabitje banke ka ndodhur sot në Napoli, e ngjahsme me një skenar filmash. Disa persona të armatosur grabitën u futën në bankë në mes të ditës, duke mbajtur peng 25 persona përpara se të arratiseshin përmes një tuneli.
Policia rrethoi një degë të Crédit Agricole në qytetin jugor italian pak pasi grabitja nisi rreth mesditës sipas orës lokale.
Mediat lokale raportuan se autoritetet zhvilluan negociata me grabitësit, përpara se pengjet të liroheshin rreth dy orë pas nisjes së ngjarjes.
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë zjarrfikësit duke thyer një dritare me mjete të rënda dhe duke ndihmuar njerëzit të dalin nga brenda bankës.
Disa prej pengjeve u larguan pa lëndime, ndërsa të tjerë u panë të tronditur, duke qarë dhe përqafuar të afërmit e tyre. Gjashtë persona, të cilët ishin në gjendje shoku, morën ndihmë mjekësore.
Një nga pengjet deklaroi për median lokale Fanpage.it se grabitësit i kishin mbyllur në një dhomë dhe, megjithëse ishin të armatosur, “nuk përdorën dhunë”.
Asnjë person nuk u plagos rëndë. “Falë reagimit të shpejtë… të gjitha pengjet u liruan pak pas orës 13:30 pa lëndime serioze,” deklaroi zyrtari rajonal Michele di Bari.
Një numër i madh qytetarësh, banorësh dhe zjarrfikësish u mblodhën në shesh duke pritur zhvillimet, ndërsa dhjetëra mijëra persona ndoqën një transmetim të drejtpërdrejtë nga vendngjarja.
Forcat speciale të karabinierëve u dërguan me urgjencë nga Toskana.
Disa orë më vonë, forcat e sigurisë ndërhynë në bankë duke thyer një dritare. Në transmetimin live u dëgjuan të shtëna dhe shpërthime granatash verbuese.
Megjithatë, sipas mediave lokale, grabitësit kishin arritur të arratiseshin përmes një tuneli, me gjasë duke u futur në sistemin e kanalizimeve.
Pamjet e mëvonshme treguan forcat e rendit dhe zjarrfikësit duke kontrolluar një pusetë aty pranë, ndërsa turma vazhdonte të qëndronte në zonë.
Sipas Fanpage.it, vlera e sendeve të grabitura ende nuk mund të përcaktohet, pasi autorët synuan kasaforta personale dhe jo para në dorë.

Comments are closed.