Një krim i rëndë i trefishtë tronditi opinionin shqiptar dhe Italinë në fundjavë. 59-vjeçari shqiptar Astrit Koni vrau me mjet bujqësor brutalisht ish-bashkëshorten e tij, Drita Meçollari dhe partnerin e saj të ri, Bardhok Gega, përpara se të kryente vetëvrasje.
Mediat italiane kanë zbardhur detaje nga ngjarja tronditëse, ku raportohet se gjithçka ka shpërthyer nga një xhelozi e pakontrolluar. Koni nuk kishte pranuar ndarjen dhe faktin që ish-gruaja e tij kishte nisur një jetë të re, duke e kthyer konfliktin personal në një tragjedi me pasoja fatale.
Trupi i Konit u zbulua fillimisht nga policia rrëzë kullës së kështjellës ku ai punonte si kopshtar, vend nga i cili dyshohet se u hodh për t’i dhënë fund jetës.
Vetëm pak më vonë, u zbuluan edhe trupat e pajetë të dy viktimave të tjera, të hedhur në një hendek pranë një fushe me koshere bletësh. Ky ishte vendi ku Drita Meçollari punonte herë pas herë, sepse pas ndarjes jetonte në Milano me Gegën.
Zbulimi i dyfishtë erdhi nga vëllai i Dritës, i cili, i shqetësuar për mungesën e kontakteve me të për më shumë se 24 orë, u nis në kërkim dhe hasi në skenën tronditëse. Një element kyç është një shënim i lënë nga autori, ku ai shkruante: “Më shkatërrove jetën për 15 vitet e fundit, por tani mbaroi!”, një fjali që hedh dritë mbi gjendjen e tij emocionale dhe motivin e mundshëm.
Çifti kishte dy vajza, njëra jeton në Dubai dhe tjetra në Torino, nga ku mësuan edhe lajmin e kobshëm për humbjen e prindërve.

Comments are closed.