Skip to content

Dalin fotot, kush është i riu që vrau 3 shqiptarët, miq të tij, ishin punëtorë ndërtimi

Policia në Mal të Zi ka publikuar fotografitë e një të riu 25-vjeçar, i cili dyshohet si autor i një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në lagjen “Stari Aerodrom” në Podgoricë, ku humbën jetën tre persona.

Bëhet fjalë për Vehad Muriç, me origjinë nga Rozhaja, për të cilin autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi. Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha strukturat e policisë janë angazhuar për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa u bëhet thirrje edhe qytetarëve që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e vendndodhjes së tij.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet se nga kjo ngjarje kanë humbur jetën vëllezërit Denis Hota (28) dhe Nezrin Hota (27), ndërsa identiteti i viktimës së tretë ende nuk është bërë publik. Të tre personat rezultojnë me origjinë nga Rozhaja.

Autoritetet bëjnë me dije se dyshohet që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e konflikteve personale mes të përfshirëve dhe nuk lidhet me përplasje mes grupeve kriminale. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja dyshohet të jetë kryer me mjete të ftohta brenda një apartamenti të marrë me qira, gjatë orëve të natës.

Pas ngjarjes, i dyshuari besohet se është larguar drejt qytetit të tij të lindjes, ku sipas burimeve ka pasur edhe një incident tjetër në familje, i cili është raportuar në polici. Ky zhvillim ka çuar më pas në zbulimin e ngjarjes në Podgoricë.

Policia vijon kërkimet intensive për kapjen e tij dhe u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacion, të kontaktojnë menjëherë autoritetet ose të paraqiten në komisariatin më të afërt, duke treguar kujdes në rast se bien në kontakt me personin në fjalë.

Published inBank

Comments are closed.