Sali Berisha përjashtoi nga gara për kreun e PD-së Korçë Bravald Xhafkën, i cili më herët ka mbajtur pozicionin e sekretarit organizativ në PD-në e Korçës.
Duke folur në emisionin “Terminal” në A2CNN, Xhafka pretendon se është përjashtuar vetëm për shkak të besimit të tij fetar. Ai thotë se e ka telefonuar Flamur Noka, duke i thënë se PD-së i duhet një balance fetare në qytetin e Korçës.
“Jam përjashtuar nga gara për arsye të besimit fetar, me argumentin e balances fetare. Sipas drejtuesve të PD-së Korçës i nevojitej një balancë fetare, dhe unë meqenëse jam i besimit mysliman s’do jem pjesë e garës! E gjithë qytetaria korçare, jo vetëm PD-ja, jo vetëm strukturat e PD-së, kemi një bashkëjetesë të jashtëzakonshme, s’ka asnjë lloj problematike dhe shqetësimi. Vetëm drejtuesit e PD-së e kanë konstatuar këtë dhe jo qytetarët e Korçës. PD s’po funksiono më si institucion, s’kam njoftim zyrtar. Kam komunikuar në lidhje telefonike me Flamur Nokën. Më ka thënë do bëjmë balancën fetare”, tha ai
Gara për drejtimin e Partisë Demokratike në Korçë është shoqëruar me tensione të forta, pasi një nga kandidatët e shpallur, Bravaldi Xhafka, është përjashtuar nga procesi, duke ngushtuar listën e garuesve.
Xhafka, ish-sekretar organizativ i PD-së në këtë degë, kishte shpallur më 3 prill kandidaturën e tij dhe kishte prezantuar një platformë për riorganizimin e partisë në nivel lokal. Megjithatë, ai nuk do të jetë pjesë e garës, e cila tashmë vijon me dy kandidatë të konfirmuar, Harito Zoto dhe Irvin Bode.
Zhvillimi vjen në një klimë përplasjesh të brendshme, pasi që prej 10 janarit 2026, Xhafka ishte rreshtuar në krahun e “Foltores” së drejtuar nga Ervin Salianji, duke kritikuar hapur drejtimin e Sali Berishës. Në deklaratat e tij publike, ai ishte shprehur se Partia Demokratike nuk duhet të funksionojë si “parti muze”, por si një alternativë shprese për qytetarët.
Sipas “A2 CNN”, bëhet me dije se kandidimi i tij kishte thelluar ndasitë në degën e Korçës, ku debatet janë fokusuar edhe te ndikimi i Salianjit në këtë proces.
Ndërkohë, zgjedhjet për kreun e degës, të planifikuara fillimisht për këtë të dielë, janë shtyrë për në datën 3 maj, në një situatë që reflekton tensionet e vazhdueshme brenda partisë.


Comments are closed.