Monika Kryemadhi ka folur për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, pas seancës së parë të gjyqit në themel, për të, Ilir Metën dhe të akuzuarit e tjerë. Kryemadhi ka bërë disa deklarata të forta, duke akuzuar për një proces “të padrejtë” dhe për një gjykatë “shërbëtore të SPAK”.
Sa i përket Metës, Kryemadhi tha se nuk ka komunikim me të dhe komentoi reagimet e sotme për pamjen e Metës. Ajo tha se Meta ka pamjen “e të burgosurit politik”, ndërsa shtoi se edhe opozita nuk ka patur reagimet e duhura për procesin ndaj tyre, duke deklaruar se deputetët e opozitës janë sot më të pasurit.
“Dy gjëra ka procesi i sotëm, nuk është se mungonte mamaja ime dhe avokati, por ajo ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe të ndarë nga çështja. Gjykatësja kishte kapur që në deklaratën noteriale nuk ishte çështja e gjykimit të shkurtuar. Ishte një sebep për të pezulluar afatet Metës dhe për ta shtyrë pasi edhe prokuroria nuk ishte e gatshme. Nuk i njihen afatet e pezullimit dhe të burgimit.
Nëse mungon avokati i zotit Meta po, por nëse mungon i pandehur tjetër s’ka punë. Këtu problemi qëndron te mënyra që nuk kemi proces gjyqësor që kërkojmë drejtësi por ne kemi as gjyq publik, ka probleme e gjithë dosja. Ka procedura që zvarrisin dhe e bëjnë shumë të vështirë të marrësh edhe provat që mendojnë se të bëjnë pis, ndërsa ato që të shfajësojnë nuk i kanë as në fashikuj” – tha Kryemadhi.
“Jo, jo nuk flas me zotin Meta. Kam zero komunikim. Flas vetëm në proces gjyqësor, për të bërë mbrojtjen time. Është e vërtetë ajo që tha avokati. Ai ka marrë fashikujt për CEZ-DIA, pasi edhe ajo është me artikuj gazete. Pjesa tjetër është marrëdhënia ime familjare me mamanë time, që pretendojnë se janë në bashkëpunim me zotin Meta.
Kur unë kam hequr mitrën, dhe kam paguar 5 mijë euro cash, nuk i kam deklaruar, quhet bashkëpunim Meta me mua në këtë vepër penale. Ka absurditete qësharake. Edhe historia e kafazit, është normale, pasi zoti Meta e ka të nevojshme me avokatin, ka shumë komunikime. Për cështjen CEZ-DIA. Është e vështirë, nuk dëgjohet është xham 10 cm” – tha Kryemadhi.
“Edhe që nuk e nxjerrin Metën nga kafazi. Meta ka pamjen e një të burgosuri politik. Se janë marrë me çështjen e pamjes. Por Meta ishte pushkë sot me fjalimin që ka mbajtur. Çfarë ka ndodhur? Portugezi vrasës me pagesë, del 2 orë në ditë në ajrorje, Metën e nxjerrin 20 min. A po tentojnë ta zhbëjnë? Patjetër. Largimi i Metës nga politika dhe çmitizimi i tij, sot opozitarizmi është bërë biznesi më fitimprurës, deputetët më të pasur i ke në opozitë. Kënaqen se thonë duke mbajtur Metën në burg nuk merren me ne. Shiko reagimet dhe çfarë ndodh” – tha Kryemadhi. /LAPSI.al

Comments are closed.