Në videon e publikuar nga gazetari Flamur Vezaj në emisionin e tij, shfaqet Lulzim Berisha së bashku me disa persona të tjerë, të ulur në një ambient të përbashkët, duke pirë alkool, duke përdorur disa telefona njëkohësisht dhe duke bërë video-call me persona jashtë. Muzikë, të qeshura dhe lëvizje të lirshme nga një qeli në tjetrën, pa asnjë shenjë kontrolli
Në të njëjtat pamje, pretendohet se shfaqen edhe emra të njohur si Fehmi Mziu,Astrit Avdulaj “Kapelja”, Islam Kasa “Mitralozi” dhe të besuar të Kel Arapit. Identitetet mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet, por pamjet kanë ngritur dyshime të forta.
Gazetari Artan Hoxha e cilësoi videon si një tregues të qartë të mënyrës si funksionon sistemi në burgje, duke theksuar se kush ka para, siguron kushte dhe privilegje edhe brenda qelisë. Sipas tij, gjithçka ka një çmim: telefonat futen me pagesë, alkooli sigurohet me lekë, ndërsa ‘malli’ hyn përmes rrugëve të paligjshme dhe shpesh me çmime më të larta se jashtë. Lëvizja nga një qeli në tjetrën nuk ndodh rastësisht, por përmes marrëveshjeve dhe favoreve.
Flamur Vezaj theksoi se video dyshohet të jetë filmuar në burgun e Peqinit dhe është mbajtur për një periudhë për verifikim para publikimit. Sipas tij, pamjet tregojnë qartë se dera e qelisë duket e hapur, ka disa telefona në përdorim dhe një situatë që nuk përputhet me rregullat e një burgu të sigurisë së lartë.

Comments are closed.