Një ngjarje e rëndë ka tronditur Durrësin pasditen e së dielës, ku tre fëmijë u përplasën nga një automjet në lagjen nr. 15 të qytetit. Sipas informacioneve paraprake, mjeti drejtohej nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili dyshohet se po lëvizte me shpejtësi dhe në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.
Përplasja rezultoi fatale për dy prej të miturve, të dy rreth 10 vjeç, ndërsa fëmija i tretë u transportua me urgjencë drejt Tirana, ku po merr trajtim mjekësor në gjendje të rëndë.
Tragjedia bëhet edhe më prekëse për shkak të situatës familjare të njërit prej viktimave. Sipas raportimeve, prindërit e tij ndodhen në Itali pasi babai i fëmijës po trajtohet atje për një sëmundje të rëndë.
Banorët e zonës kanë reaguar me indinjatë pas ngjarjes, duke deklaruar se drejtuesi i automjetit njihej prej kohësh për sjellje problematike dhe lëvizje të rrezikshme në rrugët e lagjes. Ata shtojnë gjithashtu se fëmija i plagosur ka lidhje familjare me njërin prej dy të miturve që humbën jetën.
57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili shkaktoi aksidentin e rëndë që u mori jetën dy fëmijëve të mitur, 12-vjeçarit Eneo Muça dhe 10-vjeçarit Klersi Nikolli, në qytetin e Durrësit, ku i plagosur mbeti edhe 11-vjeçari Arvjon Meslani, ka folur në polici.
Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë, Radaçi është shprehur se nuk meriton të jetojë më, pasi shkaktoi aksidentin e rëndë.
“Më vrisni, nuk meritoj të jetoj”, mësohet të ketë thënë Nikoll Radaçi gjatë dëshmisë së tij.
Mësohet se 57-vjeçari është marrë në pyetje dy herë nga grupi hetimor, pasi fillimisht ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit.
Fillimisht ai ka deklaruar se ishte i dehur në momentin e aksidentit dhe se nuk mban mend asgjë nga ngjarja, ndërsa ka shprehur tronditje për pasojat e rënda të përplasjes fatale.
Po ashtu, bëhet me dije se Radaçi ka qenë një person problematik në drejtimin e automjetit, pasi në dy raste i është hequr leja e drejtimit për shkak të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.
Gjithashtu, ai ka qenë shqetësim i vazhdueshëm për banorët e zonës, të cilët kanë bërë disa herë ankesa në polici për drejtim me shpejtësi të lartë dhe në gjendje të dehur. Sipas tyre, vetëm një ditë para ngjarjes, ai për pak sa nuk shkaktoi një tjetër aksident në zonë.

Comments are closed.