Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në zonën e Kënetës, në Durrës ku një automjet ka përplasur tre fëmijë të moshës rreth 10–13 vjeç.
Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të diel, më 3 maj, në lagjen nr. 15 në Durrës, ku si pasojë kanë humbur jetën dy fëmijë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
I plagosuri është transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Fëmijët janë të moshës 10 deri në 13 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake, të miturit ishin ulur në anë të rrugës, kur makina është drejtuar drejt tyre, duke shkaktuar ngjarjen tragjike. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Kënetës, në qytetin bregdetar.
Drejtuesi i mjetit, banor i zonës, është arrestuar nga policia, ndërsa po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

“Rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”, njoftoi policia.
Comments are closed.