Ka folur për herë të parë nëna e Enea Muçajt, 12-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht një ditë më parë pasi u përplas nga një automjet i drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi.
Në një lidhje direkte për Euronews Albania, ajo, e cila sot i dha lamtumirën e fundit djalit të saj, ka rrëfyer momentet e para pas ngjarjes së rëndë.
Sipas saj, ka qenë motra e 12-vjeçarit ajo e cila vrapoi në momentin tragjik dhe nuk po njihte të vëllain pasi trupi i tij ishte i mbuluar nga gjaku. Ajo tregon se e identifikoi me vështirësi birin e saj, ndërsa kujton se Enea po përballej çdo ditë me sfida shëndetësore dhe kishte shpresë për t’u përmirësuar.
“Goca e kishte parë ngjarjen, të gjithë ngjarjen. Çfarë të shihte, goca ishte tmerruar, ishte tmerruar se nuk e njohu vëllain, nuk e njohu kokën e vëllait. Kur shkova, çfarë të shihja, e kam marrë djalin në krahë, i kullonte gjaku, e kam marrë në krahë djalin, i kullonte gjaku si det, u mbush shtëpia me gjakun e djalit. Ma kishin therur, nuk e njoha nga koka djalin, nga trupi, më ishte bërë djali copë-copë. E njoha vetëm nga kraharori, bënte terapi çdo ditë, më thoshte do bëhem mirë me mami”, tha ajo mes lotëve.
Kles Nikolli dhe Enea Muçaj, të moshave 10 dhe 12 vjeç, u përplasën për vdekje teksa po luanin pranë banesave të tyre nga një automjet që drejtohej nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili rezultoi në gjendje të dehur në timon.
Pasditen e kësaj të hëne, qindra qytetarë të Durrësit, familjarë, të afërm, miq, bashkëmoshatarë, nxënës dhe mësues u mblodhën për t’u dhënë lamtumirën e fundit dy të miturve, jeta e të cilëve u ndërpre në mënyrë tragjike.

Comments are closed.