Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në nje emision televziziv, ka folur për tragjedinë në Durrës, ku Nikoll Radaçi, përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi një tjetër.
Hoxha foli për ngjarjen, por bëri edhe një përshkrim të autorit, si person mjaft problematik, që ka arritur t’i shpëtojë ligjit dhe autoriteteve edhe pse ishte përsëritës në shkeljet e rregullave të qarkullimit.
“Ngjarje e rëndë që të lë pa fjalë. Tre fëmijë duke luajtur në rrugicën e lagjes, në trotuar, hapësira aty nuk të jep mundësi të drejtosh mjetin me shpejtësi të madhe. Gjithsesi, së pari ngushëllime për familjet që kanë humbur dy fëmijët. Skena, mjafton një foto dhe jo gjë tjetër për të kuptuar se çfarë ka ndodhur aty.
Fëmijët në mungesë, se s’kanë ku të luajnë, janë goditur. Shpejtësia ka qenë shumë e lartë dhe automjeti ka qenë jashtë kontrollit, sasia e alkoolit 0.7 miligram për litër, një përqindje shumë e lartë, ka qenë krejt jashtë kontrollit. Ajo që e bën më trishtuese, shkojmë te pjesa që, si është e mundur që këta lloj personazhi, për më tepër i kishte vënë nofkën vetes “bisha”, i pëlqente ta quanin “bisha”.
Ky vit ka nisur që në 1 janar me të vdekur nga aksidentet. Rasti i fundit, të gjithë bëjnë pyetje, a mund të ishin shpëtuar dy fëmijët, a mund të ishte shmangur kjo tragjedi? E gjithë CV e personit dhe shkeljet, ishte shkelës i rregullt i Kodit Rrugor. Njeri problematik, i alkoolizuar, kishte konflikte me fqinjët, ka qenë shkelës permanent i Kodit Rrugor. Si ka mundësi që është lejuar të jetë kërcënim të rrugët e vendit? Është njeri që në tre raste i është hequr një muaj patentën, kur i duhej hequr fare.
Si ka mundësi, kur e sheh të njëjtin njeri, që përsërit të njëjtat shkelje, përbën rrezik për jetën e vet dhe për shoqërinë, një minë lëvizëse nëpër qytet. Mungesa e agjencive të zbatimit të ligjit, pasi është shkelës disa herë. Që nga 2020, përsërit të njëjtat shkelje dhe lejohet të lëvizë në qytet. E patë edhe makinën, nuk ishte makinë hallexhinjsh.
Ky njeri, shkelës i rregullt i ligjit, i ka mbijetuar masave të ndërmarra. Sot shkarkuan drejtorin e qarkut, shefin e qarkullimit, por dëmi është bërë. Këto shkelje duhet të ishin ndjekur në atë kohë. Duheshin cuar edhe në gjykatë. Kodi Rrugor parashikon heqje patente. Duke qenë recidivist, nuk kishte frikë as inspektonin në lagje, krahët si duket i ka patur të ngrohtë, kjo e bën të ketë këtë papërgjegjshmëri”, deklaroi Hoxha.
Gazetarja Xhensila Kodra, e ftuar në një emision televiziv, ka komentuar aspektin ligjor të aksidentit tragjik të ndodhur në Durrës, ku një drejtues mjeti në gjendje të dehur përplasi për vdekje dy fëmijë të mitur.
Sipas saj, vetëm për veprën penale të shkaktimit të shkaktimit të vdekjes nga aksidenti, ligji parashikon dënim nga 5 deri në 20 vite burg, pa përfshirë këtu bashkimin e dënimeve për akuzat e tjera që rëndojnë mbi të dyshuarin.
Ajo shtoi se ndaj autorit rëndojnë gjithashtu edhe akuza të tjera, si drejtimi i mjetit në gjendje të dehur dhe largimi nga vendi i aksidentit, të cilat mund të ndikojnë në ashpërsimin e dënimit përfundimtar që do të kërkojë prokuroria.
Gazetarja theksoi gjithashtu se pamjet e aksidentit janë shumë të rënda, ndërsa sipas saj, pas ngjarjes i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është përballur më vonë me banorë të zonës.
Në deklarimet e tij para policisë, autori ka pretenduar se është larguar nga frika e reagimit të dëshmitarëve okularë. Ai është marrë disa herë në pyetje dhe fillimisht ka deklaruar se nuk mbante mend asgjë, duke pranuar vetëm se kishte qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.
Më pas, sipas gazetares, ai ka shprehur pendesë, duke thënë se “ka marrë më qafë” familjet e viktimave dhe fëmijën tjetër të plagosur që ndodhet në spital.

Comments are closed.