Skip to content

Rama shpall ‘vdekjen’ e Partisë Socialiste?

Pas 22 vitesh në krye të PS-së dhe 13 vitesh në pushtet, Edi Rama po përgatit transformimin e socialistëve në një “parti kombëtare”, plan që ka alarmuar bazën tradicionale dhe mund të shpërthejë në përçarjen më të madhe të së majtës shqiptare…

Marrëdhënia e Edi Ramës me socialistët nuk është rastësisht e komplikuar. Rama ka arritur, falë shkathtësisë dhe aftësisë së tij politike, të jetë lideri më jetëgjatë në pushtet i së majtës shqiptare, duke vendosur një rekord jo vetëm shqiptar, por edhe europian.

Megjithatë, Rama ka ndoshta të njëjtin problem me një nga idhujt dhe mentorët e tij, Tony Blair-in. Edhe Blair ishte një nga liderët më të suksesshëm të laburistëve britanikë. Ai arriti të fitonte aty ku partia e tij nuk e kishte menduar kurrë, por megjithatë mbetet një nga udhëheqësit më antipatikë për një pjesë të madhe të militantëve, mbështetësve dhe votuesve tradicionalë të së majtës.

Këtu ka një shpjegim të qartë. Si Blair, ashtu edhe Rama, kanë ditur të ndërtojnë aleanca me botën e financës, me elitat dhe me rrjete të padukshme pushteti, duke siguruar jetëgjatësi politike. Por kjo jetëgjatësi nuk i ka bërë më të lumtur socialistët, anëtarët dhe votuesit e PS-së, të cilët mbeten një nga elektoratet më të disiplinuara dhe më të orientuara sipas vijës së partisë.

Socialistët i kanë thënë gjithmonë “po” çdo oferte politike që Edi Rama u ka vendosur përpara. Shpesh edhe duke mbyllur hundën nga mërzia dhe pezmi ndaj një udhëheqjeje që i ka injoruar dhe nëpërkëmbur.

Sot PS ndodhet në një moment të veçantë. Po kërkon mandatin e pestë qeverisës, ndërsa mandati i katërt pritet të arrijë gjysmën e tij në vitin 2027. Rama, me zgjuarsi, ka ditur t’i japë çdo gare një objektiv politik. Këtë herë objektivi është anëtarësimi në Bashkimin Europian, i shitur në propagandë si destinacion historik.

Por kjo nuk i ka mashtruar socialistët. Ata e kanë votuar Edi Ramën me të njëjtën frekuencë si në vitin 2013, por kjo sërish nuk e ka bërë të lumtur kreun e socialistëve.

Në fakt, Rama duhet të ishte jo vetëm i kënaqur, por edhe mirënjohës ndaj këtij besimi të gjatë. Duhej t’u tregonte zgjedhësve të tij se çfarë do të bëjë për të ardhmen, për t’ua bërë jetën më të drejtë dhe më të mirë. Por socialistët e kanë pritur keq, madje sipas sondazheve gjithnjë e më keq, taktikën e tij të shpërndarjes me pikatore, qoftë për pensionistët, qoftë për pagat.

Socialistët nuk e shohin më Edi Ramën si një lider që u ngre shpirtin peshë, që u ndryshon jetën, apo që u sjell emocionin politik që dikur e kanë ëndërruar. Edhe pandëshkueshmërinë e premtuar përmes reformës në drejtësi, Rama e solli me pikatore, të shoqëruar me ushqimin e hidhur të akuzave ndaj vetë udhëheqësve socialistë.

Militantët e PS-së nuk e ndiejnë më veten pjesë të kësaj manovre. Ata do të kishin dashur që çështje si 21 Janari dhe Gërdeci të merrnin zgjidhje të menjëhershme, jo të mbeteshin pjesë e një loje të gjatë, që ka lodhur, mpakur dhe plakur shumë prej aktivistëve të PS-së.

Edi Rama, sipas zërave brenda mazhorancës, është mërzitur shumë nga një sondazh i fundit, ku votuesit socialistë nuk pranonin katapultimin e ministrave jashtë partisë dhe futjen e deputetëve nga dritarja, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit. Për këto vendime, socialistët fajësojnë Ramën dhe kërkojnë më shumë rezistencë nga ata deputetë që vijnë nga tradita e hershme partiake.

Kjo shpjegon edhe popullaritetin e Erion Braçes dhe pëlqimin për figura të tjera që vijnë nga përvoja reale e partisë.

Edi Rama është sot në vitin e 22-të të drejtimit të PS-së dhe në vitin e 13-të të pushtetit. Edhe pse e ka çuar Partinë Socialiste në pushtet më shumë se paraardhësit e tij, socialistët sërish nuk janë të lumtur. Sepse ata mendojnë se në pushtet nuk kanë qenë socialistët, por vetëm Edi Rama.

I frustruar nga ky qëndrim refraktar, mësohet se në përvjetorin e Partisë Socialiste, Rama po përgatit një lëvizje të madhe politike.

Në 35-vjetorin e PS-së, ai pritet të shpallë hapur atë që e ka thënë edhe më herët me kujdes, se PS nuk është më vetëm parti e socialistëve apo e së majtës. Sipas këtij koncepti, një parti që do të qëndrojë gjatë në pushtet duhet të dalë përtej së majtës tradicionale dhe të kthehet në një parti kombëtare.

Si kompensim, Rama pritet të sjellë një grup të ri drejtuesish, duke nisur edhe nga kandidati ose kandidatja e mundshme për pasardhës, që nuk vijnë domosdoshmërisht nga e majta.

Pikërisht ky plan ka nisur të diskutohet në mjediset socialiste dhe ka krijuar shqetësim të madh. Sepse për shumë socialistë, kjo nuk duket si hapje e partisë, por si shuarje e identitetit të saj.

Nuk është çudi që pikërisht në 35-vjetorin e PS-së, më 12 qershor, të shpërthejë edhe çarja e re. Sepse socialistët kanë votuar për Ramën për 13 vjet, por nuk kanë pranuar kurrë të zhduken si socialistë./Pamfleti

 

Published inBank

Comments are closed.