Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në Sarandë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 66-vjeçari Rexhep Ismaili. Sipas të dhënave paraprake, krimi ka ndodhur pas një konflikti të nisur në lokalin në pronësi të viktimës, në zonën e “Qafë Gjashtës”.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:30, ku fillimisht disa persona janë përfshirë në një sherr me sende të forta, ndërsa më pas situata ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit. Si pasojë, Ismaili ka mbetur i vdekur në vend.
Sipas hetimeve paraprake, autor i dyshuar i vrasjes është shtetasi me iniciale L.T., i cili pas të shtënave është larguar nga vendngjarja bashkë me personat e tjerë të përfshirë në konflikt.
Policia dyshon se gjatë përplasjes është plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit. Paralelisht, po verifikohen edhe spitalet rajonale dhe klinikat private, me qëllim identifikimin e personit të plagosur.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të krimit.

Comments are closed.