Skip to content

Eksperti i shëndetit publik : ‘Hantavirusi’ është në Shqipëri, ja si është futur!

Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka ngritur shqetësimin se hantavirusi është i pranishëm në Shqipëri.

Sipas Dashos, hantaviruset përbëjnë një familje të madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu.

Ai shpjegon se lloji i njohur si “hantavirusi i Andeve” ka qarkulluar kryesisht në Amerikën e Jugut dhe karakterizohet nga transmetimi fillestar nga brejtësit te njeriu, por në raste të caktuara mund të kalojë edhe nga njeriu te njeriu.

“Kjo nuk është diçka e re, është konstatuar prej më shumë se 10 vitesh në Kili dhe Argjentinë, ku pacientët kanë infektuar edhe mjekët që nuk kanë respektuar masat mbrojtëse”, tha ai.

Dasho thekson se rastet në Shqipëri janë sporadike dhe shumë të rralla.

Sipas tij, në vend ka pasur një shpërthim në vitet ’80, ndërsa aktualisht shumica e rasteve kalojnë si viroza të zakonshme.

Megjithatë, ai paralajmëron se në rastet me komplikacione, hantavirusi mund të jeyë agresiv dhe të kenë vdekshmëri më të lartë krahasuar me vende të tjera europiane.

Sipas ekspertit, një nga burimet kryesore të infektimit është kontakti me brejtësit, veçanërisht minjtë e arave, si dhe me jashtëqitjet dhe urinën e tyre.

Kur këto thahen dhe kthehen në pluhur, grimcat mund të thithen përmes rrugëve të frymëmarrjes.

Ai shton se mënyra të tjera infektimi përfshijnë edhe kafshimin e brejtësve ose konsumimin e ushqimit të kontaminuar prej tyre.

“Hantaviruset janë një familje e madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu. Hantvirusi në fjalë njihet si i Andeve sepse ka qarkulluar lirisht në Amerikën Jugore. Karakteristika e hantaviruseve janë kalimi nga brejtësit te njeriu. Hantavirusi i Andeve ka edhe mundësinë e kalimit nga njeriu te njeriu. Kjo nuk është diçka e re, ka më shumë se 10 vite që është konstatuar në Kili dhe Argjentinë, zona ku ai qarkullon. Pacientët kanë infektuar mjekët që janë kujdesur pa respektuar masat.

Rastet në Shqipëri janë sporadike, numërohen me gishtat e dorës. Ka pasur një shpërthim në vitet ’80, por momentalisht janë shumë të rralla. Shumica e rasteve kalojnë si një virozë e zakonshme. Por në rastet me komplikacione, variantet që transmetohen në Shqipëri janë agresive dhe kanë një vdekshmëri më të lartë në krahasim me hantaviruset që janë në Gjermani apo vende të tjera. Fati i keq i Ballkanit është që hantavirusi që prek minjtë e vegjël të arave, që ka një shenjë të verdhë në qafë dhe njihet edhe si miu i verdhë i arave, bëhet bartës i hantavirusit të Beogradit dhe ka një shkallë vdekshmërie të lartë kur komplikohet me komplikacione pulmonare. Ky virus e ka prekur Shqipërinë, është aktiv prej disa dekadash. Varet vetëm nëse qytetarët kanë kontakt me jashtëqitjen dhe urinën e minjve. Kur ato nuk pastrohen dhe thahen, më pas kthehen në pluhur dhe grimcat mund të merren nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Variantet e tjera janë nga kafshimi i brejtësve ose kur jashtëqitjet e tyre kontaminojnë ushqimin”, tha ai.

Published inBank

Comments are closed.