Skip to content

“Më thoshin do bëhesh si Putini”, Rama befason: Duhet T’u puth duart shqiptarëve sepse janë ato që po më

Kryeministri Edi Rama tha se është akuzuar nga kundërshtarët politikë se synonte përqendrimin e pushtetit, madje sipas tij është krahasuar edhe me presidentin rus Vladimir Putin, për shkak të kërkesës për një mandat të fortë qeverisës.

Gjatë fjalës së mbajtur në asamblenë e Partisë Socialiste në Elbasan, Rama u shpreh gjithashtu se shumica e fortë parlamentare e socialistëve ka qenë vendimtare për avancimin e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.

“Kur unë thosha na duhet një mandat i fortë, thoshin ky do të bëhet si Putini. Por ja ku jemi sot, në fund të janarit ne kemi kaluar 27 ligje që ishin një paketë vetëm për negociatat. Nga këto 27 ligje, ishin me 84 vota”, deklaroi Rama.

Kryeministri vijoi duke thënë se nëse Partia Socialiste nuk do të kishte shumicën aktuale prej 83 mandatesh dhe opozita do të kishte më shumë ndikim në parlament, negociatat me Bashkimin Evropian do të rrezikonin të bllokoheshin.

“Përfytyroni ju sikur ne të kishim 75 dhe të tjerat t’i kishin molotovarët se ku do ishim sot. Atëherë po do na ishin bllokuar negociatat, se do na ishte bllokuar parlamenti jo me muskuj, por me buzëqeshje, duke thënë: ‘Po ne ua japim votat, ne duam të shkojmë bashkë në Evropë, por duhet të ikë narkoregjimi, duhet të mos e ketë PS qeverinë’”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, shumica parlamentare ishte e nevojshme për të shmangur pazaret politike dhe pengesat në procesin e integrimit europian.

Madje ai thekson se “duhet t’i puthim duart atyre që na dhanë ato vota për forcën që ato vota kanë në parlament dhe për të realizuar negociatat”.

“Ne do ishim në një situatë, do vinim vërdallë, si ajo shprehja që thotë duke i gjëmu bishtit tonë. Prandaj na duheshin ato vota, prandaj unë insistoja, prandaj ne duhet t’i puthim duart atyre që na dhanë ato vota, jo për këto karrige, por për atë forcë që ato vota kanë në parlament që ne të realizojmë negociatat”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se objektivi i mazhorancës mbetet mbyllja e negociatave me Bashkimin Evropian dhe realizimi i një momenti historik për vendin.

“Duhet të bëjmë histori duke mbyllur përfundimisht kapitullin 500-vjeçar dhe duke mbyllur negociatat”, përfundoi Rama.

Published inBank

Comments are closed.