Për vite me radhë, Sulo Shehu është konsideruar si një nga emrat më të fuqishëm të biznesit në jug të Shqipërisë. Nga tregtia e elektroshtëpiakëve, te importi i çimentos dhe më pas ndërtimi, ai arriti të krijojë një nga perandoritë më të mëdha financiare në Vlorë, aq sa shumë njerëz e konsideronin si njeriun që ndërtoi “gjysmën e qytetit”.
Por prej kohësh, biznesmeni është larguar nga jeta publike dhe shfaqjet e tij janë bërë gjithnjë e më të rralla. Sipas burimeve pranë njerëzve që e njohin nga afër, Sulo Shehu po përballet prej vitesh me probleme serioze shëndetësore dhe dyshohet se vuan nga demenca.
Njerëz pranë familjes tregojnë se gjendja e tij është përkeqësuar gradualisht me kalimin e viteve, e si rrjedhojë ka ardhur dhe shkëputja e tij nga jeta publike. Sipas të njëjtave burime për Neësbomb.al, vajzat e biznesmenit e kanë dërguar disa herë për trajtim në Itali, në përpjekje për të marrë kujdës më të specializuar për gjendjen e tij ku dhe qëndroi për një periudhë kohore prej një viti.
Tanimë është kthyer sërish në banesën e tij, dhe po mbahet nën vëzhgim të vazhdueshëm për shkak të problemeve neurologjike.
Në mes të gjithë kësaj situate delikate, së fundmi në rrjete sociale ka nisur të qarkullojë një video që ka shkaktuar reagime të forta publike. Për arsye etike, pamjet nuk do të publikohen.
Videoja, e cila sipas burimeve është filmuar rreth një vit më parë, e shfaq Sulo Shehu të ulur në një karrige, dukshëm në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe i çorientuar. Në pamje shihet një infermiere që i mban dorën dhe kërcen pranë tij, ndërsa personi që filmon dëgjohet duke thënë: “Hajde Sulo, të hedh 500 çen…”.
Pamjet kanë shkaktuar indinjatë të fortë, sidomos për mënyrën sesi është trajtuar një person i moshuar dhe me probleme të rënda shëndetësore.
Shumë qytetarë e kanë konsideruar rastin si një shkelje të rëndë të etikës njerëzore dhe profesionale, duke theksuar se një person në atë gjendje ka nevojë për qetësi, dinjitet dhe kujdes, jo për t’u filmuar dhe më pas për t’u bërë pjesë e rrjeteve sociale.
Historia e Sulo Shehu mbetet një nga historitë më të forta të suksesit të biznesit në Shqipërinë e pas viteve ’90. Ai e nisi jetën si rrobaqepës në kohën e komunizmit, për të vazhduar më pas me tregtinë dhe importimin e elektroshtëpiakëve, në një kohë kur ekonomia shqiptare sapo kishte hyrë në tregun e lirë.
Më vonë ai u kthye në një nga emrat më të fuqishëm në tregun e çimentos dhe më pas në sektorin e ndërtimit, ku shumë e konsiderojnë si një nga biznesmenët që ndikoi më shumë në transformimin urban të Vlorës.
Në një intervistë të dhënë vite më parë për gazetarin Dritan Hila, vetë Sulo Shehu kishte treguar sesi hyrja e tij në biznesin e çimentos kishte nisur krejt rastësisht.
“Ustallarët donin çimento. Vajta të blej një thes dhe u habita me çmimin. Mora numrin e telefonit që ishte sipër thesit dhe kërkova të lidhesha me fabrikën italiane.” Ai tregonte se më pas kishte udhëtuar vetë drejt Italisë për të negociuar me kompaninë italiane.
“Mora pasaportën e vëllait që kishte vizë dhe i hipa tragetit. Mora një Benz që të paraqitesha mirë para italianëve, por shkova me pantallona të shkurtra. Megjithatë, mora me vete një çantë të madhe me lireta dhe kërkova çmim konkurrues.”
Nga ai moment, biznesi i tij do të zgjerohej me ritme të shpejta, duke e kthyer në një nga njerëzit më të pasur në jug të vendit.
Por sot, historia e tij po sjell një reflektim krejt tjetër. Shumë qytetarë kanë komentuar se në fund të fundit, pavarësisht pasurisë apo suksesit, vjen një moment kur njeriu përballet me beteja që as paratë nuk mund t’i zgjidhin plotësisht.
Në rrjete sociale, shumë kanë sjellë si shembull edhe historinë e Steve Jobs, i cili pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme dhe mundësive të pafundme financiare, nuk arriti ta fitonte betejën me sëmundjen.

Comments are closed.