Skip to content

“Terbohet” moti, i ftohti godet Europën dhe Ballkanin; parashikohen stuhi dhe temperatura të ulëta

Një valë e fortë të ftohti ka përfshirë Europën dhe pritet të ndikojë ndjeshëm edhe në Ballkan dhe rajonin e Mesdheut gjatë fundjavës. Sipas parashikimeve meteorologjike, ditët në vijim do të karakterizohen nga mot i paqëndrueshëm, stuhi të fuqishme, reshje intensive shiu dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.

Sipas analizës së publikuar nga “Severe Weather Europe”, një masë ajri e ftohtë është zhvendosur drejt jugut të kontinentit, duke u përplasur me ajrin e ngrohtë dhe të lagësht mbi Mesdhe. Ky kombinim pritet të krijojë kushte të favorshme për zhvillimin e fenomeneve të forta atmosferike në Itali, përgjatë Adriatikut dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Meteorologët paralajmërojnë se stuhitë mund të shoqërohen me erëra të forta, breshër dhe përmbytje lokale, kryesisht në zonat bregdetare dhe ato malore. Reshjet më intensive pritet të regjistrohen përgjatë Apenineve dhe Alpeve Dinarike, ku në disa rajone sasia e shiut mund të arrijë deri në 150 milimetra brenda pak ditësh.

Ndërkohë, temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme në disa pjesë të Europës, duke zbritur deri në 10–14 gradë nën mesataren normale të muajit maj. Në zonat malore parashikohen edhe reshje dëbore, ndërsa në Alpe meteorologët parashikojnë deri në 50 centimetra borë të re.

Ekspertët u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë fundjavës, veçanërisht në zonat ku priten reshje intensive dhe stuhi të forta.

Published inBank

Comments are closed.