Një tjetër seancë është shtyrë në gjyqin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të cilët po hetohen në kuadër të dosjes “Partizani”. Togat e zeza u detyruan të shtyjnë sërish seancën, pasi avokati i biznesmenit Fatmir Bektashi mungonte në sallën e gjyqit. Si rrjedhojë, SPAK kërkoi shtyrjen e seancës për në datën 8 qershor.
Në seancën e kësaj të mërkure pritej të dëshmonte edhe ish-ministri i qeverisë Berisha, Ylli Pango. Megjithatë, ai është shprehur se nuk do të mund të marrë pjesë në seancën e 8 qershorit pasi “nuk ka kohë”.
Prania e Pangos në ambientet e GJKKO-së ka tërhequr jo pak vëmendje, kjo dhe për shkak të transformimit të tij, në një kohë kur daljet e tij kanë qenë mjaft të rralla, aq sa dhe mund të numërohen me gishtate të njëjtës dorë.
Ish-politikani u shfaq me flokët e zbardhura dhe me rrudha, por duke ruajtur të njëjtin komunikim karizmatik që e ka karakterizuar gjithmonë në publik.
Kujtojmë se karriera e Ylli Pango përfundoi në mënyrën që ai vetë nuk do ta kishte dëshiruar. Në vitin 2009, emisioni investigativ Fiks Fare dërgoi në banesën e tij një gazetare të infiltruar, e cila kërkonte të punësohej në Ministrinë e Kulturës që drejtonte asokohe Pango. Pamjet e transmetuara shkaktuan debat të madh publik, ndërsa fraza e tij “Ç’i ke ato mbërthecka”, referuar kopsave të veshjes së gazetares, u kthye në një nga episodet më të komentuara të asaj kohe.
Mjaftoi ajo ngjarje që Sali Berisha të njoftonte shkarkimin e Pangos, duke e konsideruar episodin “të papranueshëm për moralin dhe standardet e qeverisë”. Edhe pse më pas ai ndoqi procese gjyqësore dhe në një fazë arriti të fitonte gjyqin ndaj emisionit, ish-ministri nuk iu rikthye më jetës aktive politike.

Comments are closed.