Me shpetoni se kam Frikë për Jetën Time” – Valon Berisha Kërkon Mbrojtje nga Shteti, Pretendon se Ndihet i Rrezikuar pas Deklarimeve për Besarb Blakajn dhe Skemën e BKS-së
Zhvillime të reja dhe tejet të ndjeshme po raportohen nga hetimet që lidhen me aferën financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve, ku sipas burimeve të afërta me procesin, Valon Berisha ka kërkuar mbrojtje nga institucionet shtetërore duke pretenduar se ndihet i rrezikuar për sigurinë e tij personale pas deklarimeve të dhëna para prokurorisë.
Burime që pretendojnë njohuri mbi dosjen thonë se Berisha ka shfaqur frikë serioze për jetën e tij, sidomos pas pretendimeve që ai ka dhënë lidhur me mënyrën e funksionimit të transfertave të dyshimta financiare dhe personat që, sipas tij, kanë përfituar nga qarkullimi i mjeteve të BKS-së.
Sipas këtyre pretendimeve, Berisha u ka deklaruar hetuesve se “nuk dua të mbaj burg për të tjerët”, duke aluduar se përgjegjësia për skemën e dyshuar nuk mund të mbetet vetëm mbi të. Në deklarimet e përfolura janë përmendur edhe emra të figurave të njohura brenda strukturave të BKS-së, përfshirë Besarb Blakajn dhe Rexhep Idrizajn, për të cilët pretendohet se kanë qenë pjesë e zinxhirit të vendimmarrjes dhe përfitimeve financiare.
Sipas burimeve, hetimet tashmë janë fokusuar tek rrjedha e parasë, transfertat bankare dhe investimet e dyshuara në pasuri të paluajtshme në Prishtinë. Dyshimet kryesore lidhen me pretendimet se para që dilnin nga llogaritë e BKS-së përmes pagesave dhe transfereve pa mbështetje të qartë dokumentare, më pas riktheheshin në forma të ndryshme tek persona të caktuar.
Ajo që po e bën edhe më dramatike situatën është ndryshimi i deklarimeve të Valon Berishës gjatë procesit hetimor. Në fazat e para ai raportohet se kishte marrë mbi vete pjesën më të madhe të përgjegjësisë, duke krijuar përshtypjen e një veprimi individual. Por me avancimin e hetimeve financiare dhe analizimin e komunikimeve e lëvizjeve bankare, narrativa e tij duket se ka ndryshuar ndjeshëm.
Burime nga procesi vlerësojnë se kërkesa për mbrojtje mund të jetë tregues i tensioneve të mëdha brenda rrethit të personave të përfshirë në hetim dhe i frikës se deklarimet e tij mund të prodhojnë pasoja serioze për figura të tjera të përmendura në dosje.
Në qarqet juridike tashmë po shtrohet pyetja nëse rasti i BKS-së përfaqëson një nga skemat më të mëdha të dyshuara të keqpërdorimit financiar në sektorin e sigurimeve në Kosovë, ku transfertat e dyshimta, kthimet e mjeteve dhe investimet private dyshohet se kanë funksionuar si pjesë e një mekanizmi të organizuar për përfitime personale.

Comments are closed.