Temperaturat globale pritet të qëndrojnë pranë niveleve rekord gjatë pesë viteve të ardhshme, ndërsa Arktiku do të vazhdojë të ngrohet shumë më shpejt krahasuar me pjesën tjetër të planetit.
Paralajmërimi është bërë në një raport të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) dhe Shërbimit Meteorologjik britanik.
Sipas raportit, temperatura mesatare globale parashikohet të jetë nga 1.3 deri në 1.9 gradë Celsius mbi nivelet e periudhës paraindustriale.
Ekspertët theksojnë se ekzistojnë prova të forta se klima globale po ngrohet dhe se temperaturat vijojnë të rriten.
Raporti paralajmëron se gjatë periudhës 2026-2030, bota mund të kalojë përkohësisht kufirin kritik prej 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale. Gjithashtu, një nga vitet e kësaj periudhe mund të tejkalojë rekordin e vitit 2024, i cili konsiderohet si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Shkencëtarët sqarojnë se një tejkalim i përkohshëm i këtij kufiri nuk nënkupton automatikisht dështimin e Marrëveshjes së Parisit, por paralajmërojnë se planeti po afrohet gjithnjë e më shumë drejt këtij skenari.
Arktiku po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës
Raporti thekson se temperaturat dimërore në Arktik do të rriten më shumë se 3.5 herë më shpejt se mesatarja globale gjatë pesë viteve të ardhshme.
Sipas ekspertëve, shkrirja e akullnajave në Arktik mund të sjellë pasoja të mëdha, duke nxitur fenomene më ekstreme të motit dhe duke ndikuar në sistemet klimatike globale.
Parashikimet tregojnë gjithashtu për reshje më intensive në Evropën Veriore, Alaskë dhe Siberi, ndërsa rajone të tjera, si Amazona, mund të përballen me periudha më të forta thatësire.
Ndërkohë, fenomeni klimatik El Niño pritet të forcohet gjatë dimrit dhe mund të zgjasë deri në vitin 2027, duke kontribuar në rritjen e mëtejshme të temperaturave globale drejt niveleve të reja rekord.

Comments are closed.