Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e ish-volejbollistit dhe trajnerit legjendar të ekipit “Dinamo” dhe Kombëtares shqiptare, Kreshnik Tartari.
Në një mesazh të publikuar në rrjete sociale, Rama e cilësoi atë si një figurë të pazëvendësueshme të sportit shqiptar, duke e përshkruar si kampion dhe trajner që solli krenari për Shqipërinë në arenën europiane të volejbollit.
Tartari, i lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. Ai i kushtoi mbi pesë dekada sportit, duke zhvilluar një karrierë të jashtëzakonshme me më shumë se 2 mijë ndeshje zyrtare. Si lojtar, trajner dhe drejtues sportiv, ai la gjurmë në historinë e volejbollit shqiptar, duke u kthyer në një prej figurave më emblematike të këtij sporti.
“Lamtumirë miku im i dashur. U prehsh në paqe, Kreshnik Tartari, legjendë e sportit shqiptar, kampion dhe prodhues kampionesh që sfiduan me krenari Europën e volejbollit të femrave, kur Europa ishte një planet tjetër”, shkruan Rama.

Comments are closed.