Tirana po përgatitet të humbasë një tjetër hapësirë të rëndësishme publike në emër të zhvillimit urban, ku projekti i prezantuar fillimisht si një ndërhyrje për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, në fakt do të shoqërohet me ndërtimin e një kulle të re masive me 65 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë.
Ky investim do të shtrihet në mijëra metra katrorë sipërfaqe ndërtimi në një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit. Ndonëse gjatë prezantimit zyrtar u fol gjerësisht për shtim të gjelbërimit, ruajtje të identitetit të objektit ekzistues dhe zgjerim të hapësirave publike, detajet e shpallura tregojnë se projekti përfundon sërish te një kullë e lartë, duke rënduar më tej situatën e betonizimit në një qytet që po i merret fryma nga ndërtesat shumëkatëshe.

Megjithatë, përtej shqetësimeve për urbanizimin e egër, pasiguria më e madhe lidhet me prapaskenat politike dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Sali Berisha.
Fitues i garës për këtë projekt është shpallur një konsorcium i gjerë ku bëjnë pjesë “Herzog & de Meuron Basel Ltd”, Julian Beqiri, Marsela Demaj, Michel Desvigne (MDP), Gentian Shkurti, SUEB Industries sh.p.k., The Space Factory Ltd dhe KLAR sh.p.k.
Pikërisht kjo e fundit, kompania “KLAR” sh.p.k. në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Beshiri, ka tërhequr vëmendjen më të madhe. Beshiri njihet publikisht si personi që qëndron pas interesave të Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit, duke shërbyer si emër i vendosur në many biznese trojesh të hedhura në emrin e tij.

Lidhjet dhe përfitimet e këtij rrjeti rezultojnë të hershme dhe shtrihen përtej Tiranës. Përmes ndikimit të Sali Berishës, mediat raportojnë se Shkëlqim Beshiri ka siguruar më parë nga qeveria e Edi Ramës leje ndërtimi për tre hotele në Himarë, si dhe statusin e investitorit strategjik për një kompleks gjigant vilash e pallatesh.
Ky kompleks përfshin një sipërfaqe prej 119 hektarësh tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit, ku 28 hektarë janë pyll me pisha buzë detit. Po ashtu, më 17 nëntor 2025, kjo kompani mori lejen për ndërtimin e kullës me 65 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë në Bulevardin e Ri të Tiranës, e destinuar për banim, njësi tregtare dhe hoteleri, për të cilën ka deklaruar edhe burimin e financimit.
Tashmë duket e qartë se përmes logos së firmës “KLAR” sh.p.k., familja Berisha është futur edhe në projektin pranë Pallatit të Kongreseve, çka konsiderohet si qoka e radhës e kryeministrit Rama ndaj tyre.

Një skemë e ngjashme është përdorur edhe më parë përmes biznesmenit Fatmir Bektashi, ortak i dhëndrit të Berishës, i cili ka përfituar dhjetëra leje për pallate. Rruga për kullën e re nisi zyrtarisht në prill të vitit 2025, kur vetë Edi Rama hodhi publikisht idenë për të ndërtuar kulla me Partneritet Publik-Privat në atë zonë, ide të cilën e ktheu me shpejtësi në fakt të kryer.
Procedurat u ndoqën me ritme të shpejta nga drejtoresha e Korporatës së Investimeve, Elira Kokona, e cila me anë të një njoftimi zyrtar më 27 nëntor 2025 shpalli garën për zhvillimin e këtij objekti multifunksional përmes sipërmarrjes private.
Për të realizuar këtë plan, Korporata e Investimeve iu përmbajt një vendimi qeveritar të datës 10 shtator 2025, përmes të cilit mori në pronësi një sipërfaqe prej 4.760 metrash katrorë truall publik, që përbënte lulishten rreth Pallatit të Kongreseve dhe që deri atëherë administrohej nga Bashkia e Tiranës.
Mbi këtë lulishte publike do të ngrihet kulla që do të përmbajë banesa, zyra, njësi tregtare, ambiente argëtimi dhe parkingje nëntokësore, gjithçka nën maskën e kompensimit për rivitalizimin e godinës ekzistuese, ndërkohë që pas investimit dyshohet se fshihet Shkëlzen Berisha, raportojnë mediat.
Ky projekt ndjek saktësisht të njëjtën skemë të aferave të mëparshme të kullave që qeveria ka miratuar në hapësira të rëndësishme publike dhe sportive, siç ka ndodhur me Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, stadiumin “Selman Stërmasi”, Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, apo me projektet e ngjashme që po zbatohen rreth stadiumeve në Durrës, Vlorë dhe Korçë.

Comments are closed.