Skip to content

Pse Edi Rama u përlesh me Alexis Tsipras? Loja e madhe që askush se kuptoi

Duke e kthyer investimin në një kauzë personale, Rama po i jep kundërshtarëve të tij një armë politike, ndërsa Gjermania dhe aleatët e saj duket se po testojnë terrenin për fazën e fundit të përplasjes me kryeministrin shqiptar…

Edi Rama po i përdor politikisht protestat për Zvërnecin, duke i bërë një dëm të madh edhe vetë projektit aq të rëndësishëm të investimit atje.

Nëse e gjithë situata do të ishte menaxhuar pa sjelljet agresive dhe pa tërheqje litari nga kryeministri, çështja nuk do të arrinte të kthehej në një problem të madh politik.

Në momentin kur opozita kryesore, ajo e Sali Berishës, mbajti një qëndrim të qartë duke deklaruar se e mbështeste investimin, të njëjtën gjë duhej të bënte edhe mazhoranca dhe situata do të rridhte normalisht.

Por ishte vetë Edi Rama ai që i hodhi benzinë zjarrit që në fillim, duke e kthyer çështjen në një kauzë të tipit: ose me mua, ose kundër investimit.

Një lëvizje e menduar e mire, për të marrë rolin e viktimës dhe për të krijuar një kauzë që mund ta përdorë deri në vjeshtë.

Një kauzë që ai e ka shtrënguar fort, duke përfituar nga zhurma që u krijua në Greqi kundër investimit në Zvërnec.

Kjo zhurmë nuk ka ardhur si një re në qiell të hapur. Opinioni publik në Greqi, si mediat ashtu edhe politika, janë të ndjeshme sa herë bëhet fjalë për investime të mëdha në Shqipëri, qartësisht për arsye konkurrence.

Megjithatë, përplasja me Alexis Tsipras, ish-kryeministrin e majtë grek, i cili tashmë po ndërton një formacion të ri politik me profil europianist, u duk e çuditshme.

Sepse zhurmën më të madhe nuk e bënë qarqet pranë Tsiprasit, por media dhe qarqe të afërta me Nea Demokratia-n e Kyriakos Mitsotakis.

Por situata duket më e ndërlikuar se kaq.

Debatin me Tsiprasin, Rama e përdori për t’u dërguar një mesazh atyre që e mbështesin ose ndajnë të njëjtën linjë politike me të.

Përkatësisht gjermanëve të Friedrich Merz, të cilët duket qartë se po mbështesin faktorë opozitarë në Shqipëri, me synimin për të përshpejtuar një ndryshim politik.

Protestat e konsiderueshme, ku në pak kohë u mblodhën një numër i madh të rinjsh, nuk janë gjë tjetër veçse një test politik për të parë nëse është e mundur të shpërthejë një lëvizje më e madhe në Shqipëri.

Një lëvizje që mbështetet kryesisht nga faktorë të rinj politikë, të cilët nuk janë të inkuadruar as në PD dhe as në PS.

Duket se gjermanët ia kanë përgatitur me kujdes këtë “revolucion portokalli” Edi Ramës, në mënyrë që në samitin e Tivatit të gjithë liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor të merren me të.

Jo vetëm për t’i rënë puplat, por sepse duket se kemi hyrë në një fazë më të avancuar.

Një fazë ku mund të aktivizohet më qartë plani për largimin politik të Edi Ramës.

I cili, pikërisht për të mbajtur me thonj pushtetin e tij, po përdor me shumë kujdes lidhjet dhe marrëdhëniet me familjen Trump. Lidhje që, në mënyrën si po përdoren, rrezikojnë të krijojnë probleme serioze për Shqipërinë.

Nëse demokratët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, sipas të gjitha gjasave do të përdorin bizneset e familjes Trump si argument për të ngritur akuza për konflikt interesi.

Dhe kështu Shqipëria rrezikon të kthehet në një sanduiç të squllur mes lojërave të mëdha ndërkombëtare, ku do të përfshihen jo vetëm amerikanët, por edhe liderët europianë që mezi presin të përplasen me Donald Trump.

Nëse marrëdhënia me familjen Trump dhe investimet e tyre në Shqipëri nuk do të trajtohej si një çështje personale nga Edi Rama për të ruajtur pushtetin e vet, zhurma do të ishte shumë më e vogël.

Nuk ishte aspak rastësi që Rama, në konferencën e përbashkët me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, deklaroi në mënyrë të koduar se largimi i tij mund të sillte trazira.

Edhe pse kishte përballë Antonio Costën, në realitet ai po komunikonte me Friedrich Merz.

Po i dërgonte një mesazh.

Ose më saktë, po përpiqej të negocionte një armëpushim.

Sipas të gjitha gjasave, në Tivat do të kemi aktin e dytë të kësaj përplasjeje, e cila tashmë duket shumë më tepër sesa një zënkë politike.

Duket si pjesë e një operacioni më të madh kundër autokratëve pehlivanë të Ballkanit./Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.