Efektivi i policisë i cili mbeti i vrarë gjatë operacionit policor të zhvilluar në Maliq në orët e para të kësaj të enjte është Enea Mekolli.
Si mund ta shikoni dhe në foton e mësipërme, Enea Mekolli është efektivi i Shqiponjave i cili u qëllua për vdekje nga i shumëkërkuari i policisë Violand Braçellari, ish-ushtarak, i cili isht shpallur në kërkim prej vitesh.
Paraprakisht bëhet me dije se pas sinjalizimeve se i kërkuari fshihej në zonë, blutë e Korçës u nisën drejt Podenës për ta arrestuar.
Po ashtu thuhet se Braçellari jetonte prej vitesh në pyjet e Podenës, ku kishte ngritur një stan të madh dhe kujdesej për disa qen.
Ndërsa raportohet se një ditë më parë, policia kishte marrë informacion se ai ndodhej i fshehur në këtë zonë të thellë malore.
Në operacionin e zhvilluar kanë marrë pjesë rreth 7-8 efektivë policie, disa prej të cilëve të veshur civilë. Mirëpo Braçellari i ka identifikuar forcat e policisë gjatë natës, rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit të së enjtes, dhe më pas ka hapur zjarr në drejtim të tyre.
Pas shkëmbimit të zjarrit, autoritetet dyshohet se kanë arritur ta neutralizojnë të plagosur, ndërsa zona është rrethuar nga forca të shumta policie dhe drejtues të lartë të Policisë së Korçës kanë shkuar në vendngjarje për hetimet.
Ngjarja e rëndë është konfirmuar dhe nga blutë e vendit të cilët bëjnë me dije se mëngjesin e sotëm Braçellari i cili prej kohësh ishte në kërkim nga policia ka hapur zjarr ndaj bluve duke i marrë jetën Enea Mekollit dhe duke lënë të plagosur Edison Adri.
“Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij” njofton Policia.
Njoftimi i Policisë:
Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.
Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.
Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.

Comments are closed.