Deputetja socialiste Marjana Koçeku, përmes një podtimi në rrjetet sociale ka njoftuar largimin e saj nga Partia Socialiste, duke deklaruar se prej sot do të ushtrojë mandatin si deputete e pavarur.
Koçeku shkruan se vendimi i saj lidhet me bindjet dhe parimet që ka mbrojtur ndër vite, duke shtuar se idealet dhe vlerat e saj mbeten të pandryshuara.
“Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet dhe vlerat e mia janë ato që i kam pasur dhe i kam shprehur që para se të asociohesha me një parti. Ato m’i përcaktojnë kufijtë”, shkruan deputetja.
Deklarata e Koçekut vjen në një moment të rëndësishëm politik dhe pritet të sjellë reagime në radhët e Partisë Socialiste, ndërsa ende nuk dihen detaje mbi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.
Lajmi u prit me ovacione nga protesta para Kryeministrisë. Protestuesit ftuan deputeten t’i bashkohet sheshit të protestës.
“Duhet të rrimë në shesh, ata do të bien si gurë dominoje. Ne vlerësojmë vendimin e marrë nga deputetja Marjana Koçeku por themi që kjo është vetëm gjysma e punës, gjysma tjetër është të vijë në shesh e të këndojë me ne “Rama jepe dorëheqjen! Do të jemi këtu derisa Rama të ngelet vetëm, kur të jetë në qeli”, u shpreh një prej organizatorëve të protestës.

Comments are closed.