Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të shtunë, 20 qershor, Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe projektin e Zvërnecit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka thumbuar hapur protestat qytetare që po zhvillohen kundër këtij investimi strategjik. Ai e ka cilësuar situatën aktuale si një histori paralajmëruese, duke u shprehur se mllefi i shfaqur nuk drejtohet vetëm ndaj tij, por ndaj të gjithë shumicës qeverisëse.
Sipas Ramës, ky reagim është vetëm fillimi i asaj që pritet të vijë më tutje, ndaj kërkoi që kjo histori të lexohet drejt për të qenë të përgatitur.
“Shqipëria u bë zogu dhe ne ishim në krye të saj. Kjo ishte një histori paralajmëruese. Jo vetëm për mandatin tim, por të kësaj shumice qeverisëse. Mllef ndaj meje dhe PS. Këtë histori ta lexojnë sa më drejt, për të qenë të përgatitur sa më mirë, për çfarë vjen më tutje, sepse ky është vetëm fillimi… Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet, për të kuptuar politikën sot bën mirë që të largohesh pak. Shumë kohë përpara ai ka përshkruar modelin e biznesit të rrjeteve sociale, në një përshkrim që ai e quan diskursi i historikut. Ai nuk përshkruante një njeri, por një marrëdhënie, një mënyrë për t’u marrë me botën dhe realitetin.”
Pasi analizoi modelin e rrjeteve sociale dhe “diskursin e historikut”, ku rëndësi ka mbajtja ndezur e motorit të zhurmës, ai sqaroi se ky qëndrim nuk është një kritikë ndaj kritikës konstruktive. Kryeministri pranoi se qeveritë përmirësohen nga kundërshtitë, por nënvizoi se refuzimi i prerë për të negociuar është tashmë një fenomen politik botëror.
“Nuk ka fare objekt, rëndësi ka që motori të mos fiket dhe zhurma e tij të mos pushojë. Kjo nuk është një kritikë ndaj kritikës, përkundrazi. Qeveritë përmirësohen nga kritikat dhe kundërshtitë. Unë dhe të gjithë ju kemi ndryshuar mendje shpesh për shkak të objektit të kritikës. Një zemërim që shuhet nuk prodhon më identitet. Është tipike dhe konkrete, që nuk duam të dëgjojmë, të flasim dhe nuk ka negociata. Ky nuk është një fenomen shqiptar, është një fenomen politik botëror. Nxitja për të përmbysur gjithçka është më e bukur sesa administrimi.”
Në vijim të fjalës së tij, Rama bëri një krahasim mes opozitës, ku mund të premtosh e të mbrosh çdo zog, dhe qeverisjes, ku duhet të merresh me gjahtarët e të mbledhësh plehrat. Në mbyllje, ai theksoi se qeveria është burimi më i pasur për të ushqyer zemërimin, pasi ajo përballet me kompromise buxhetesh dhe nuk është gjithmonë poetike.
“Në opozitë dukesh më i pastër, më i përvuajtur për të tjerët, kurse në qeveri duhet kompromis, ecën me buxhete. Në opozitë e ndryshon botën me një fjalim dhe kënaqesh, kurse në qeveri ndryshon nene. Në opozitë mund të premtosh gjithçka dhe nuk mban përgjegjësi për asgjë, në qeveri duhet të mbledhësh plehrat. Në opozitë mund të mbrosh të gjithë zogjtë, në qeveri duhet të merresh me gjahtarët. Qeveria është burimi më i pasur për të ushqyer zemërim, edhe sikur qeveria të jetë e përsosur, lë më pastaj nuk ka qeveri të përsosur. Problemi është që qeveria nuk është gjithmonë poetike.”

Comments are closed.