Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me debatet që kanë shoqëruar zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe çështjet që lidhen me territorin kombëtar.
Në një deklaratë që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale, Kurti u shpreh se nuk mund të imagjinojë dhënien e territorit shqiptar dhe se roli i tij është ta mbrojë atë.
“Mendoj që më mirë që është kështu. Ka që janë të gatshëm të japin tokë shqiptare, unë atë guxim nuk e kam. Edhe jo vetëm që nuk e kam atë guxim, por nuk e kam as atë imagjinatë apo dëshirë. Unë jam këtu që ta mbroj, jo ta humbas”, deklaroi ai.
Fjalët e Kurtit kanë tërhequr vëmendje në një moment kur protestat në Shqipëri vijojnë prej javësh dhe debati publik është fokusuar te projektet strategjike, zhvillimi i zonave të mbrojtura dhe investimet e mëdha në vend.
Deklarata e kryeministrit të Kosovës është interpretuar nga shumë komentues si një mesazh i drejtpërdrejtë në mbrojtje të interesit kombëtar dhe të territorit shqiptar, ndërsa në rrjetet sociale ka gjeneruar reagime të shumta mbështetëse.
Ndërkohë, protestat në Tiranë kanë hyrë në javën e katërt, me organizatorët që vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe shfuqizimin e disa ligjeve që, sipas tyre, cenojnë interesin publik dhe mjedisin.

Comments are closed.