Protestuesit listojnë kërkesat e reja: Asnjë kryeministër mbi dy mandate
Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë bërë publike kërkesat e tyre të reja, të cilat u lexuan nga Dritan Goxhaj gjatë tubimit të zhvilluar në Tiranë.
Në emër të pjesëmarrësve, Goxhaj paraqiti një listë me kërkesa që, sipas organizatorëve, synojnë hapjen e një procesi të ri politik dhe institucional në vend.
Kërkesa e parë ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kërkuan gjithashtu krijimin e një qeverie teknike me mandat njëvjeçar, e cila do të kishte si objektiv menaxhimin e tranzicionit politik dhe përgatitjen e reformave të nevojshme.
Mes kërkesave të tjera u përfshinë ndryshimet kushtetuese dhe rishikimi i Kodit Zgjedhor, me argumentin se sistemi aktual ka nevojë për reforma që garantojnë përfaqësim më të drejtë dhe transparencë më të madhe në proceset zgjedhore.
Protestuesit kërkuan gjithashtu kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, duke e konsideruar këtë si një masë për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një individi.
Një tjetër kërkesë ishte shfuqizimi i të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”, ndërsa në fund u kërkua hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe institucioneve të shtetit.
Lista e plotë e kërkesave të protestuesve:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:
* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.
Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:
* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.
* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”.
* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.
“Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre”, përfundoi fjalën e tij Goxhaj.
protesta kerkesat

Comments are closed.