Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë të diel zonën e Hekalit në Mallakastër, duke djegur disa hektarë me ullishte dhe shkurre, ndërsa flakët kanë rrezikuar edhe Parkun Arkeologjik të Bylisit.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë rreth orës 09:00 të mëngjesit. Fillimisht, forcat zjarrfikëse të Ballshit arritën ta vinin situatën nën kontroll, por era e fortë riaktivizoi vatrën e zjarrit në mesditë, duke favorizuar përhapjen e flakëve drejt zonave përreth.
Për shkak të rrezikut që zjarri të prekte Parkun Arkeologjik të Bylisit, në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan jo vetëm forcat zjarrfikëse të Ballshit dhe Fierit, por edhe ndërhyrja nga ajri. Ekipet punuan për të izoluar vatrat aktive dhe për të mbrojtur një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në vend.
Ndërkohë, strukturat e emergjencës vijojnë monitorimin e zonës, pasi era e fortë mban ende të lartë rrezikun e riaktivizimit të zjarrit.
Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit është bërë djegia e mbeturinave në tokat përreth, megjithatë policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet u bëjnë apel banorëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, veçanërisht gjatë temperaturave të larta dhe erërave të forta, për të parandaluar incidente të ngjashme.

Comments are closed.