Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, eksperti i akuakulturës Enton Spaho foli për masat e reja që po ndërmerren në Shqipëri për mbrojtjen e ekosistemit ujor dhe luftën kundër peshkimit të paligjshëm.
Duke iu referuar edhe problematikave të rënda të viteve ’90, kur gjuetia me dinamit shkaktoi dëme të mëdha mjedisore dhe, në disa raste, edhe humbje jetësh, Spaho theksoi se vendi po hyn në një fazë të re të menaxhimit të peshkimit, ku prioritet është ruajtja e burimeve peshkore dhe zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme është miratimi i një udhëzimi të ri, i cili përafron legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian. Sipas Spahos, ky udhëzim vendos një metodologji të qartë për masat administrative, duke shmangur hapësirat për interpretime të ndryshme nga inspektorët.
Udhëzimi i ri parashikon gjoba të larta për shkeljet e rënda, veçanërisht për peshkimin në zona të mbrojtura, përdorimin e mjeteve të ndaluara apo dëmtimin e rëndë të ekosistemit ujor. Çdo shkelje është e përcaktuar qartë, ndërsa dokumentacioni i inspektimit do të jetë më transparent dhe më i aksesueshëm për peshkatarët.
Një tjetër masë e rëndësishme është bllokimi i dhënies së lejeve të reja të peshkimit, vendim që është në fuqi prej vitit 2020. Aktualisht, në Shqipëri operojnë 233 anije profesionale peshkimi, të shpërndara në katër portet kryesore të vendit. Ky kufizim synon të mbrojë rezervat peshkore dhe të parandalojë mbipeshkimin, veçanërisht për speciet që janë më të rrezikuara.
Kontrolli në ujërat shqiptare po forcohet edhe përmes bashkëpunimit mes Inspektoratit të Peshkimit, Policisë Kufitare dhe Rojës Bregdetare. Anijet monitorohen me sisteme dixhitale, të cilat ndihmojnë autoritetet të verifikojnë nëse aktiviteti i peshkimit kryhet brenda rregullave.
Spahu bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria, si pjesë e Komisionit Mesdhetar të Peshkimit, ka akses në listën e anijeve që konsiderohen të paligjshme apo “pirate” në Mesdhe. Këtyre mjeteve u ndalohet hyrja dhe aktiviteti në ujërat shqiptare, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë peshkimin e huaj të paligjshëm në territorin detar të vendit.
Gjatë intervistës u diskutua edhe për gaforren blu, një specie aliene që fillimisht u pa si kërcënim për ekosistemin dhe për vetë peshkatarët, për shkak të dëmeve që shkaktonte në rrjeta. Megjithatë, vitet e fundit kjo specie është kthyer në një mundësi ekonomike. Peshkatarët shqiptarë kanë nisur ta gjuajnë në sasi të konsiderueshme, ndërsa kërkesa për të është rritur si në tregun vendas, ashtu edhe në eksport.
Eksperti i akuakulturës theksoi se praktikat e dikurshme, si peshkimi me lëndë plasëse apo me korrent, nuk kanë më vend në realitetin e sotëm. Sipas tij, vetë peshkatarët janë bërë më të ndërgjegjshëm se dëmtimi i ekosistemit dhe kapja e peshkut nën dimensionet e lejuara cenon drejtpërdrejt të ardhmen e tyre ekonomike.
“Nëse nuk mbrojmë ekosistemin sot, nesër nuk do të ketë më profesion peshkatar,” u shpreh Spahu, duke theksuar se peshkimi i përgjegjshëm është rruga e vetme për të garantuar të ardhmen e sektorit dhe të familjeve që jetojnë prej tij.

Comments are closed.