Skip to content

Më jep celularin!”, Cfarë pa burri që i mori jetën Bardha Ziçit

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e shtetases Bardhe Ziçi nga bashkëshorti, një ditë më parë në Shkodër. Policia e Shkodrës ka ngritur si pistë kryesore të hetimit xhelozinë mes çiftit.
Nga kamerat e sigurisë që policia disponon, shtetasi Shtjefën Ziçi i ka kërkuar celularin bashkëshortes së tij të ndjerë, gjë për të cilën kanë bërë debat. Menjëherë pas debatit, 62-vjeçari futet në banesë merr çiften që kishte me leje dhe qëllon bashkëshorten e tij duke e lënë të vdekur në vend. Autori i dyshuar për shkak të traumatizimit, nuk ka dhënë ende një dëshmi për policinë, por burime pranë palës mbrojtëse bëjnë me dije se do t’i qëndrojnë faktit se vrasja ka qenë aksidentale. Sipas palës mbrojtëse Shtjefën Ziçi ka marrë çiften për ta pastruar dhe nuk ka qenë në dijeni se ka patur plumba brenda sepse ka qenë bashkëshortja që ditë më parë e ka mbushur duke mos e vënë në dijeni burrin e saj.

Megjithatë nisur nga pamjet e deritanishme dhe dëshmitë si dhe hetimet paraprake, policia dyshon se pista e vrasjes lidhet me xhelozinë mes çiftit. Në momentet e para, para arrestimit, autori i dyshuar i ka thënë grupit hetimor në vendngjarje se nuk është penduar se kishte vrarë gruan e tij, por kjo nuk është ende një dëshmi zyrtare e autorit, por vetëm fjalë të thëna në momentin e arrestimit. Pala mbrojtëse hedh poshtë dyshimet e policisë për xhelozi duke i qëndruar faktit se vrasja ishte aksidentale. Burime pranë familjes bëjnë me dije se Shtjefën Ziçi ka lënë porosi që për bashkëshorten e tij të kryhen të gjitha nderimet dhe ceremonia e varrimit të bëhet nga familja e tij ku ajo ishte martuar sipas traditave që ka zona e Dukagjinit nga ato janë për t’i bërë respektin maksimal viktimës.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:30 të 9 korrikut në unazën lindore të Shkodrës. Shtetasi Shtjefën Ziçi pas një debati me gruan e tij Bardhe Ziçi në një dyqan që kishin afër shtëpisë, u fut në banesë, mori çiften dhe qëlloi dy herë ndaj viktimës duke e lënë të vdekur në vend. Vrasja ndodhi në pragun e shtëpisë të çiftit në fjalë. 55-vjeçarja tentoi që të ikte për të shpëtuar por dy plumbat e çiftes i morën jetën. Shtjefën dhe Bardha Ziçi janë prindër të dy fëmijëve, një djali që jeton në Kanada dhe një vajze, e cila punon si oficere në repartin ushtarak në Vau Dejës.
Autori i dyshuar punonte si taksist me makinën e tij private ndërsa bënte edhe furnizimin për dyqanin ushqimor ku shiste bashkëshortja e tij e cila mbeti e vrarë.
Të dy, burrë e grua, njiheshin si njerëz të qetë në zonë dhe askush nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti të mëparshëm mes tyre. Ata punonin bashkë dhe kishin një jetë normale derisa ndodhi vrasja e cila tronditi mbarë opinionin.

Policia sekuestroi armën e krimit, një çifte me leje që kishte autori si dhe arrestoi në vendngjarje Shtjefën Ziçin i cili u dorëzua duke mos u larguar nga aty dhe pa bërë asnjë rezistencë si dhe duke mos shfaqur asnjë pendesë. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe kamera të sigurisë në zonë për të zbardhur të plotë dinamikën e kësaj ngjarje të rëndë që ndodhi në Shkodër.

© BalkanWeb

Published inBank

Comments are closed.