Ish-ministri Arben Malaj ka lëshuar akuza të forta ndaj Fatmir Xhafajt, duke e paraqitur atë si një prej njerëzve që Edi Rama përdor për të shtrirë kontrollin politik mbi institucionet e pavarura.
Përplasja lidhet me të ashtuquajturin “Super-Komision” të drejtuar nga Xhafaj, i cili po tenton të vendosë nën kontroll edhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, përmes audituesve që do të caktoheshin nga Kuvendi.
Por KLSH-ja nuk është institucioni i vetëm që është vënë në shënjestër. Edhe përballë SPAK-ut, Fatmir Xhafaj është shfaqur si një prej levave kryesore të Edi Ramës për të ushtruar presion dhe për të kufizuar pavarësinë e institucioneve që nuk kontrollohen drejtpërdrejt nga qeveria.
Nën justifikimin e reformimit, transparencës dhe kontrollit parlamentar, Xhafaj ka marrë përsipër një rol që rrezikon të vendosë institucionet e pavarura nën mbikëqyrjen e shumicës politike. Kjo qasje është parë edhe në raport me SPAK-un, ndaj të cilit mazhoranca ka shtuar sulmet, kërkesat për llogaridhënie dhe përpjekjet për ta futur nën kontroll politik.
Reagimi më i ashpër ka ardhur nga Arben Malaj, i cili pretendon se Xhafaj ka tradhtuar më parë Fatos Nanon për t’i shërbyer ngritjes politike të Edi Ramës dhe se më pas është shpërblyer me koncesione fitimprurëse dhe me drejtimin e një komisioni me kompetenca të gjera.
Malaj rikthen gjithashtu akuzat publike ndaj Xhafajt për të kaluarën e tij gjatë regjimit komunist, sipas të cilave ai dyshohet se ka torturuar një vajzë të re për t’i marrë florinjtë.
Postimi i plotë i Arben Malajt:
“Super-Komisioni” Xhafaj vret demokracinë parlamentare! Kjo praktikë nuk gjendet në asnjë eksperiencë parlamentare të vendeve demokratike.
Thelbi është i qartë: Xhafaj i shërben! Rama e shpërblen!
Kalbëzimi i PS-së, i qeverisë dhe i parlamentit nga të babëziturit për para dhe pushtet abuzues, pra jo nga socialistët e thjeshtë dhe fisnikë, është shumë më i thellë dhe shumë më i rëndë se ai që shfaqet në sipërfaqe.
Xhafaj nxitoi të shiste Nanon në 2005 për t’i shërbyer Ramës.
Më pas nxitoi t’i shërbente Erionit për t’i zënë vendin Ramës. Por këtë herë nuk e parashikoi saktë: Erioni përfundoi në burg, Xhafaj mori disa koncesione qeveritare shumë fitimprurëse dhe, brenda katër ditëve, edhe një super-komision.
Por e kaluara do ta përndjekë këmbë pas këmbe. Një individ që akuzohet publikisht se ka torturuar një vajzë të re për t’i marrë florinjtë gjatë kohës së komunizmit, do ta ketë shumë të vështirë t’i shpëtojë gjykimit të Zotit.
Kur dhe si, është çështje kohe!

Comments are closed.