19 vite burg dhe një jetë në vetmi/ Historia e Pjetër Markut që pas lirimit u izolua në malet e Pukës
Një ngjarje e rëndë e vitit 1997 vazhdon të ndikojë jetën e Pjetër Markut, 63-vjeçarit nga Puka, i cili pasi vuajti 19 vite burg për një vrasje, sot jeton i vetëm dhe i braktisur në malet e kësaj zone.
Marku u lirua në vitin 2015, por pas daljes nga burgu nuk gjeti më një strehë ku të kthehej. Sipas rrëfimit të tij, familja nuk e pranoi më për shkak të frikës nga pasojat e një konflikti të vjetër, ndërsa ai u detyrua të kërkonte strehim herë pas here tek persona të ndryshëm, deri sa përfundoi në një objekt të braktisur në mal.
I sëmurë me tuberkuloz dhe pa kushte minimale jetese, 63-vjeçari thotë se përballet çdo ditë me vetminë dhe vështirësitë ekonomike.
“Kam dalë prej hallit në mal, se nuk kam ku të shkoj”, shprehet ai, duke treguar se ka ditë kur nuk ka as ushqim.
Ngjarjen e vitit 1997, ku i mori jetën një fqinji për atë që në atë kohë e konsideronte si “nder të familjes”, sot e kujton me pendesë. Marku thotë se ka kuptuar se dhuna dhe arma nuk sjellin zgjidhje.
“E mira është t’i shmangemi armës”, është mesazhi i tij.
Sot, Pjetër Marku jeton larg njerëzve dhe larg vëmendjes, në një realitet ku pasojat e një krimi të së shkuarës janë kthyer në një betejë të përditshme për mbijetesë.
Shqiptarja.com Armir Mehaj

Comments are closed.