Qeveria po përgatit një paketë të re masash për rritjen e sigurisë rrugore, e cila parashikon rishikimin e kufijve të shpejtësisë në rrjetin kombëtar dhe zgjerimin e monitorimit elektronik të drejtuesve të automjeteve përmes kamerave dhe sistemeve inteligjente të lidhura me Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut.
Masat janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030 dhe planit të saj të veprimit, të publikuar në Fletoren Zyrtare. Sipas dokumentit, gjatë periudhës 2027–2029 do të vendosen kamera për matjen e shpejtësisë dhe sinjalistikë inteligjente në pika të përzgjedhura të rrjetit rrugor, me synim forcimin e kontrollit dhe uljen e numrit të aksidenteve.
Sistemet e reja do të monitorojnë në kohë reale shpejtësinë e mjeteve dhe do të integrohen me qendrën kombëtare të menaxhimit të trafikut. Numri i vendndodhjeve ku do të instalohen kamerat dhe pajisjet inteligjente do të shërbejë si një nga treguesit kryesorë për zbatimin e strategjisë.
Për realizimin e këtij projekti do të angazhohen Autoriteti Rrugor Shqiptar, Policia Rrugore, institucionet përgjegjëse për transportin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Paralelisht, dokumenti parashikon edhe rishikimin e kufijve aktualë të shpejtësisë, të cilët do të përshtaten sipas parimeve të “Qasjes së Sistemit të Sigurt”, duke marrë në konsideratë karakteristikat e rrugës, nivelin e mbrojtjes që ofrojnë automjetet dhe aftësinë e trupit të njeriut për të përballuar pasojat e një përplasjeje.
Kufijtë e rinj do të përcaktohen në bazë të nivelit të rrezikut për çdo segment rrugor, ndërsa në zonat urbane strategjia parashikon masa shtesë për qetësimin e trafikut, veçanërisht pranë shkollave dhe zonave me lëvizje të dendur të këmbësorëve.
Dokumenti parashikon gjithashtu monitorimin e përqindjes së automjeteve që respektojnë kufijtë e shpejtësisë në kushte trafiku të lirë. Ky indikator do të përdoret për të vlerësuar efektivitetin e masave të reja, si dhe për të orientuar kontrollet e Policisë Rrugore dhe fushatat ndërgjegjësuese për sigurinë në rruge

Comments are closed.