Skip to content

Anila Hoxha jep detaje: Çifti do jetonte në atë banesë…

Gazetarja Anila Hoxha ka dhënë detaje të reja në emisionin “Breaking” në Top News lidhur me tragjedinë e rëndë në Shkodër, ku një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur humbën jetën pas përfshirjes nga flakët të banesës ku ndodheshin.

Sipas Hoxhës, hetimet e Policisë së Shkodrës dhe Prokurorisë vijojnë, ndërsa pista kryesore që po hetohet aktualisht është ajo e një ngjarjeje aksidentale.

Dyshimet paraprake lidhen me shpërthimin e një bombole gazi, e cila është gjetur brenda banesës.

“Nga konstatimet dhe këqyrjet e kryera nga forcat zjarrfikëse, të cilat mbërritën në vendngjarje, rezulton se ndërhyrja ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe malor, i cili ishte i vështirë për t’u aksesuar. Sipas të dhënave paraprake të bëra publike edhe nga Prokuroria e Shkodrës, dyshohet se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht për shkak të shpërthimit të një bombole gazi, e cila është gjetur brenda banesës. Banesa ku ndodhi tragjedia ishte një objekt i pabanueshëm, por familja ishte kthyer për ta përshtatur dhe për ta bërë të banueshme. Çifti jetonte në Gjermani dhe kishte arritur të siguronte dokumentacionin për të jetuar atje, pasi ishin larguar nga Shqipëria me synimin për një jetë më të mirë. Nga të dhënat e mbledhura dhe dëshmitë paraprake rezulton se Bleona Çelaj, së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e vegjël, ishte kthyer në Shqipëri më 15 korrik për pushime verore. Më pas, ata ishin zhvendosur përkohësisht në një banesë të të afërmve, ndërsa po punonin për sistemimin e shtëpisë në fshatin Domen të njësisë administrative Postribë, aty ku ndodhi edhe ngjarja fatkeqe.

Bashkëshorti i viktimës është marrë në pyetje nga autoritetet dhe pritet që dëshmia e tij të administrohet në procesverbalet e mëtejshme të hetimit. Ai ka deklaruar se ishin duke përshtatur banesën dhe se ishte larguar për pak momente nga shtëpia për të blerë disa sende në një dyqan të fshatit. Gjatë kohës që ai mungonte, ndodhi edhe ngjarja tragjike.

Për hetuesit, pamjet në vendngjarje kanë qenë të rënda. Pas mbërritjes dhe këqyrjes së skenës, ata kanë gjetur nënën dhe dy fëmijët e vegjël të pajetë.

Sot do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës së fundit për Bleona Çelajn dhe dy fëmijët e saj. Familja do të përcillet në banesën e fundit në orën 15:00, ndërsa varrimi do të zhvillohet në fshatin Domen”, tha gazetarja.

Published inBank

Comments are closed.