jë valë e re e fortë të nxehti po përfshin Europën Qendrore dhe Ballkanin, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se kjo java e parë e gushtit do të sjellë temperaturat më të larta të kësaj vere në shumë vende të rajonit dhe kontinentit. Shkaku është një sistem i fuqishëm presioni të lartë, i njohur si “Heat Dome” ose “kupola e të nxehtit”, që ka bllokuar Europën me një masë shumë të nxehtë dhe të thatë ajri të ardhur nga Afrika e Veriut.
Sipas parashikimeve, temperaturat gjatë javës do të arrijnë nga 40 deri në 43 gradë Celsius në ultësirat e Italisë Veriore dhe në Pellgun Panonian, duke përfshirë Hungarinë, Kroacinë lindore, Serbinë veriore dhe perëndimin e Rumanisë. Edhe Austria lindore, Sllovakia, Çekia, Gjermania dhe Polonia do të përballen me temperatura shumë mbi normalen sezonale.
Meteorologët shpjegojnë se fenomeni i “Heat Dome” krijohet kur një zonë shumë e fuqishme me presion të lartë qëndron për ditë ose javë mbi të njëjtën zonë. Ajri i nxehtë mbetet i bllokuar poshtë saj, ngjeshet drejt sipërfaqes dhe ngrohet edhe më shumë, duke bërë që temperaturat të rriten vazhdimisht. Për këtë arsye, këto episode zgjasin më shumë se valët e zakonshme të të nxehtit dhe janë shumë më intensive.
Përveç temperaturave ekstreme gjatë ditës, shqetësim mbeten edhe netët tropikale. Në shumë qytete temperaturat minimale nuk do të zbresin nën 22-26 gradë Celsius, ndërsa në disa zona pritet të mbeten edhe mbi 24 gradë gjatë gjithë natës. Kjo do të thotë se trupi nuk arrin të ftohet mjaftueshëm, duke rritur ndjeshëm rrezikun për probleme shëndetësore, sidomos te të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Sipas analizës, ditët më të nxehta do të ndryshojnë nga një zonë në tjetrën. Të martën temperaturat më të larta do të regjistrohen në Gjermani, Austri, Çeki dhe Hungari. Të mërkurën dhe të enjten qendra e të nxehtit do të zhvendoset drejt Kroacisë, Serbisë, Rumanisë dhe pjesëve të tjera të Ballkanit, ndërsa të premten vala do të shtrihet edhe më në lindje, duke prekur Bullgarinë, Greqinë, Ukrainën dhe pjesë të Rusisë perëndimore.
Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i temperaturave shumë të larta, mungesës së reshjeve dhe erërave të thata do të përshpejtojë tharjen e tokës dhe do të rrisë ndjeshëm rrezikun për zjarre në pyje në Europën Jugore dhe Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë, nxehtësia ekstreme pritet të ushtrojë presion edhe mbi sistemet energjetike, për shkak të përdorimit të shtuar të kondicionerëve dhe konsumit të energjisë elektrike.
Sipas meteorologëve, modelet afatmesme tregojnë se edhe pas kësaj jave moti i nxehtë mund të mos largohet. Parashikimet sinjalizojnë krijimin e një tjetër “kupole të të nxehtit” mbi Europën Perëndimore gjatë javës së ardhshme, e cila mund të sjellë një valë të re temperaturash shumë të larta në Spanjë, Portugali, Francë dhe më pas drejt Alpeve, ndërsa situata mbi Ballkan pritet të ndryshojë gradualisht vetëm në fundjavën e ardhshme.
Edhe Shqipëria pritet të përballet me një valë të fortë të nxehti gjatë ditëve të ardhshme. Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat do të pësojnë rritje graduale duke nisur nga fundi i javës, ndërsa në disa zona të veçanta termometri mund t’i afrohet edhe 40 gradëve Celsius.
Gjatë ditëve të para të javës, moti do të mbetet kryesisht i qëndrueshëm. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 32 gradë Celsius në pjesën më të madhe të territorit. Në vijën bregdetare termometri do të luhatet rreth 30 gradëve, ndërsa zonat malore do të regjistrojnë vlera mes 27 dhe 28 gradë Celsius. Temperaturat minimale do të mbeten relativisht të ulëta, me vlerat më të freskëta të regjistruara në zonat verilindore të vendit.
Megjithëse moti do të karakterizohet nga kthjellime, vranësirat do të jenë të pranishme gjatë orëve të pasdites. Deri të enjten parashikohen rrebeshe të izoluara dhe afatshkurtra në zonat malore. Të martën reshjet do të përqendrohen kryesisht në skajin verior të vendit, ndërsa të mërkurën do të prekin verilindjen dhe juglindjen. Ditën e enjte rrebeshet mund të shfaqen në pjesën më të madhe të zonave lindore, kryesisht gjatë pasdites.
Ndryshimi i situatës atmosferike pritet të nisë nga mbrëmja e së enjtes. Masat e nxehta afrikane do të rikthehen mbi rajon, duke sjellë rritje të menjëhershme të temperaturave. Të enjten temperaturat maksimale pritet të arrijnë 35 deri në 36 gradë Celsius, ndërsa të premten do të ngjiten në 37 gradë, tha meteorologia e MeteoAlb, Lajda Porja. Fundjava dhe ditët e para të javës së ardhshme do të jenë periudha më e nxehtë. Temperaturat pritet të afrohen me 39 gradë Celsius në shumë zona të vendit, ndërsa në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia që termometri të prekë edhe 40 gradë.

Comments are closed.