Janë zbardhur identitetet e pesë të rinjve që u përfshinë në aksidentin tragjik të ndodhur pak pas mesnate në Manzë të Durrësit, ku tre prej tyre humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Viktima të aksidentit kanë mbetur drejtuesi i automjetit Kleo Vrioni dhe pasagjerët Sara Brugnatelli, shtetase italiane, dhe Alvi Muhaxhiri, 15 vjeç.
Mes dhimbjes së madhe, detaji që e bën edhe më tragjik këtë ngjarje është se Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli ishin martuar vetëm pak ditë më parë. Çifti ndodhej së bashku në automjetin tip BMW, kur dyshohet se Vrioni humbi kontrollin e mjetit dhe si rrjedhojë automjeti doli nga rruga dhe u përplas me forcë me një strukturë betoni.
Përplasja ishte fatale për çiftin e sapomartuar, ndërsa jetën humbi edhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur Rejsi Vrioni, 26 vjeç dhe Klevis Dervishi, 16 vjeç. Të dy janë transportuar drejt Tiranës, ku po marrin ndihmë më të specializuar mjekësore.
Nga informacionet e siguruara deri më tani, të konfirmuara edhe nga Policia e Shtetit, mësohet se gjendja e 16-vjeçarit është e rëndë, ndërkohë që bluzat e bardha po bëjnë të pamundurën për të.
Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 02:22, në një rrugë dytësore në Manzë, ku automjeti me të cilin udhëtonin pesë të rinjtë doli nga rruga dhe u përplas me strukturën e betonit.
Një natë që duhej të ishte si çdo tjetër u kthye në një tragjedi të rëndë, duke ndërprerë jetën e tre të rinjve dhe duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe të afërmit e tyre.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së aksidentit, ndërsa pritet që ekspertiza të hedhë më shumë dritë mbi shkaqet që çuan në këtë përplasje fatale.
“Rreth orës 02:22, në rrugën dytësore në Manzë, shtetasi K. V., 25 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe, për pasojë, automjeti është përplasur me një bordurë betoni. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. V., 25 vjeç, dhe pasagjerët, shtetasit S. B., 26 vjeçe, dhe A. M., 15 vjeç, kanë humbur jetën.
Pasagjerët e tjerë, shtetasit R. V., 25 vjeç, dhe K. D., 16 vjeç, janë dëmtuar dhe janë nisur drejt Tiranës për ndihmë mjekësore. K. D, ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, njoftoi Policia më herët.
Galeria fotografike (

Comments are closed.